Lidhje

Demokratët vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e programit të përgjimit të autorizuar nga Presidenti Bush


Senatorët demokratë po ngrenë pikëpyetje mbi ligjshmërinë e vendimit të presidentit Bush për të autorizuar përgjimin e bisedave telefonike dhe të e-mail-eve të shtetasve amerikanë dhe të dyshuarve për terrorizëm në vendet e tjera. Debati rreth këtij elementi të zbulimit, ka ngjallur shqetësime më të mëdha rreth përgjimit të shtetasve amerikanë nga qeveria.

Senatorët demokratë po mbështesin kërkesat për të organizuar seanca dëgjimore në Kongres rreth këtij programi të fshehtë, ndërsa po ngrenë dyshime për mungesën e bazës ligjore për urdhërin e presidentit Bush për të autorizuar përgjimin e qytetarëve amerikanë brenda vendit pa leje paraprake nga gjykata. Ja si u shpreh senatori demokrat Russ Feingold.

“Presidenti nuk ka bazë ligjore ku ta mbështesë këtë program.”

Gjatë një konference shtypi Presidenti Bush u vu në mbrojtje të vendimit të tij për autorizimin e përgjimeve, duke thënë se kjo ishte një masë e domosdodmshme për të mbrojtur amerikanët nga sulmet terroriste. Presidenti tha se ai i autorizoi përgjimet pa leje nga gjykatat, pasi një formë e tillë do t’i lejonte autoritet të mernin masa të shpejta për të zbuluar kërcënime të mundshme.

Por senatori demokrat, Carl Levin e kundërshtoi këtë arësyetim të presidentit duke thënë se autoritetet mund të veprojnë me shpejtësi edhe me ligjin e tanishëm.

“Nevoja për të vepruar shpejt nuk është justifikim për shmangien e ligjit, i cili është miratuar pikërisht për të kontrolluar pushtetin ekzekutiv.”

Shqetësimet e kongresit për këtë program të fshehtë ndikuan edhe gjatë votimit të premten në Senat për të bllokuar zgjatjen e mandatit të paketës ligjore anti-terroriste të njohur me emrin Akti Patriot, i cili skadon në fund të vitit.

Shumë senatorë, me në krye demokratët, kërkojnë garanci më të forta për mbrojtjen e lirive civile para se të votojnë për zgjatjen e mandatit të ligjit. Akti Patriot i jep qeverisë autoritet më të madh për të ndjekur të dyshuarit për terrorizëm. Dhoma e Përfaqësuesve nga ana e saj votoi për ta zgjatur mandatin e paketës ligjore.

Dje presidenti Bush u bëri përsëri thirrje senatorëve për ta miratuar paketën ligjore.

Një numër demokratësh dhe disa republikanë janë për zgjatjen e ligjit për tre muaj për t’i dhënë më shumë kohë Kongresit të hartojë ligje me garanci më të forta për liritë civile, një propozim që kundërshtohet nga presidenti Bush.

Demokratët thonë se nëse Senati nuk arrin një zgjidhje dhe paketa ligjore skadon në fund të muajit, fajin do e mbante presidenti pasi ai po e kundërshton zgjatjen e ligjit për një afat të shkurtër. Senatori Harry Reid kryeson demokratët në Senat.

“Barra se përse ligji nuk do të jetë në fuqi është plotësisht mbi shpatullat e presidentit. Për këtë nuk ka asnjë dyshim.”

Ligji për riautorizimin e Aktit Patriot është bllokuar në Senat dhe udhëheqësit republikanë po u bëjnë thirrje senatorëve të vazhdojnë debatin për të me shpresë për miratimin e tij këtë javë. Por senatori Reid thotë se ligji mund të quhet pothuajse i dështuar.

XS
SM
MD
LG