Lidhje

Presidenti Bush paralajmëron kundër tërheqjes së parakohshme nga Iraku


Presidenti Bush thotë se zgjedhgjet e së enjtes në Irak ishin historike dhe se ato forcuan një aleat në luftën kundër terrorit. Por në të njëjtën kohë, ai paralajmëron kundër një tërheqjeje të ngutshme amerikane, duke sugjeruar që një hap i tillë do të kishte pasoja të rënda. Në një fjalim që mbajti mbrëmë, presidenti i bëri thirrje popullin amerikan të ketë durim.

Ky ishte fjalimi i parë i presidentit drejtuar vendit nga zyra Ovale që kur ai bëri të njohur ndërhyrjen ushtarake amerikane në Irak në mars të vitit 2003.

Presidenti Bush tha se shumë amerikanë vazhdojnë të kenë pyetje rreth kostos dhe drejtimit të luftës. Ai theksoi se ka pasur mospajtime rreth politikës së tij në Irak, por shtoi se nevojës për fitore duhet t’i jepet përparësi e madhe: “Unë nuk pres që ju të mbështetni çdo gjë që bëj, por sonte kamë një këshillë për ju: mos u dëshproni dhe mos humbni shpresat nga kjo luftë për liri.”

Presidenti Bush pranoi se do të ketë më shumë gjakderdhje dhe sakrifica, por tha se një Irak i lirë e meriton këtë kosto. Ai theksoi se ngandonjëherë është vështirë të shihet përparimi pas të gjitha imazheve të dhunës. Megjithatë, presidenti nguli këmbë se me të vërtetë atje po bëhet përparim dhe përmendi zgjedhjet irakiane të ditës së enjte si provë, duke thënë se një demokraci kushtetuese ka lëshuar rrënjë në zemër të Lindjes së Mesme: “Për çdo skenë shkatërrimi në Irak, atje janë më shumë skena rindërtimi dhe shprese. Për çdo jetë të humbur, atje janë jetë të panumërta që kanë fituar lirinë dhe për çdo terrorist që punon për të bllokuar lirinë në Irak, atje janë më shumë irakianë dhe amerikanë që punojnë për t’i mposhtur ata. Bashkëatdhetarë të mi, tha Presidenti Bush, jo vetëm që mund të fitojmë në Irak, ne po e fitojmë luftën në Irak.

Presidenti Bush foli me shprehje të forta, duke iu drejtuar atyre që kritikojnë politikën e tij në Irak dhe bëjnë thirrje për tërheqje të hershme. Ai tha se është me rëndësi që të gjithë amerikanët t’i kuptojnë pasojat e tërheqjes nga Iraku para se të përfundohet puna: “Ne do të braktisnim miqt tanë irakianë dhe do t’i tregonim botës se nuk mund t’i besohet Amerikës që të mbajë fjalën e saj.”

Fjalimi nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë pason një seri fjalimesh të presidentit gjatë ditëve para zgjedhjeve parlamentare irakiane, në të cilët ai shpalosi strategjinë e tij për fitore, siç e quan ai. Të gjitha këto fjalime u mbajtën në mëngjes para personelit ushtarak ose anëtarëve të organizatave të interesuara për çështjet e politkës së jashtme. Por, komentet e djeshme nga Zyra Ovale u transmetuan gjatë orëve më të rëndësishme të programeve televizive në mbrëmje dhe iu drejtoheshin të gjithë amerikanëve.

Këto janë përpjekje të administratës për të krijuar besimin në mënyrën sesi presidenti po trajton gjendjen në Irak, në një kohë kur anketat e opinionit pasqyrojnë shqetësime në rritje të publikut rreth luftës. Kritikët thonë se Shtëpia e Bardhë nuk po bën sa duhet për të kaluar përgjegjësinë për sigurinë në duart e irakianëve dhe nuk po u bën sa duhet trysni udhëheqësve të rinj të Irakut që të ndryshojnë kushtetutën e sapo miratuar në mënyrë që të jetë më përfshirëse për sa u përket sunive dhe grave.

Senatori demokrat Karl Levin i Miçiganit është anëtar i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura. Ai foli dje në rrjetin televiziv NBC: “Ne duhet të ndryshojmë kursin. Ne duhet t’u themi irakianëve se është nevoja që ata të bashkohen politikisht, përndryshe neve do të na duhet të rishqyrtojmë praninë tonë në Irak.”

Senatori Levin tha se në qoftë se irakianët nuk bashkohen, nuk ekzistojnë mundësitë për të mposhtur kryengritjen në atë vend.

XS
SM
MD
LG