Lidhje

Dita e dytë e grevës së trasportit publik në Nju Jork


Njujorkezët u përballën përsëri sot me një ditë tjetër pa metro dhe autobuzë, për shkak të grevës që ka bllokuar qysh dje sistemin e transportit publik të qytetit. Bisedimet mes qytetit dhe Sindikatës së Punonjësve të Transportit ngecën për shkak të çështjeve të rrogave dhe pensionit dhe një gjykatës vendosi dje një gjobë prej 1 milion dollarësh ndaj sindikatës për çdo ditë greve. Sindikata thotë se gjoba e vendosur nga gjykatësi është shumë e lartë dhe do ta apelojnë vendimin.

Megjithatë, qeveria lokale e qytetit thotë se greva po i kushton bizneseve dhe banorëve të Nju Jorkut deri në 400 milion dollarë në ditë. Greva, e cila filloi dje në mëngjes mbylli të gjithë transportin publik në Nju Jork, një rrjet metrosh dhe autobuzësh që transporton katër herë më shumë pasagjerë çdo ditë se të gjitha kompanitë ajrore të vendit. Shumë njerëz ecën në këmbë për distanca të gjata për të vajtur në punë ndërsa të tjerë mbetën në shtëpi. Tregtarët shqetësohen për rënien e shitjeve para festave të krishtlindjeve dhe vitit të ri, të cilat janë zakonisht ditët më të zëna të blerjeve gjatë gjithë vitit.

XS
SM
MD
LG