Lidhje

Bill Gejts, binesmeni më i pasur dhe bamirës i shquar


Një shprehje e njohur amerikane thotë: paraja është fuqi. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Bill Gejts, themeluesi i Microsoftit ka më shumë para dhe fuqi se kushdo tjetër në botë. Nga shumë ai kritikohet si biznesmen agresiv, por ka të tjerë që vlerësojnë aktet bamirëse dhe mënyrën sesi ai po e angazhon pasurinë e tij për të ndryshuar jetët e njerëzve të tjerë. Në fakt një anketë e re e rendit Bill Gejtsin si një ndër personat më të admiruar në Amerikë:

Disa nga filantropët më të mëdhenj amerikanë, kanë qenë njëkohësisht njerëz që kanë ndezur polemika të shumta. Xhon Rokefeller dhuroi miliona dollarë për të mbështetur programe shëndetësore dhe arsimi. Por njëkohësisht ai ishte një biznesmen, që nuk nguronte të shkelte ligjin për të shkatërruar konkurencën. Andriu Karnegi ka dhuruar më shumë fonde se kushdo tjetër në botë, por kur drejtonte biznesin e tij metalurgjik, ai përdori metoda nga më të rreptat për të thyer grevën e punëtorëve, të cilat rezultuan në vdekjen e më shumë se 70 vetave.

Vijmë tani tek Bill Gejts, themeluesi i Microsoftit, të cilit nuk i mungojnë simpatizantët, që nga specialistë të teknologjisë, të cilët vlerësojnë aftësitë dhe largpamësinë e tij si drejtues, e deri tek ish presidenti Bill Klinton, i cili kohët e fundit ngriti lart përpjekjet e njeriut më të pasur të botës për të luftuar pabarazitë në arsim dhe shëndetësi në botë.

Fondacioni Bill dhe Melinda Gejts ka dhuruar deri në 10 milion dollarë për qëllime bamirëse nga më të ndryshmet si për të zvogëluar numrin e nxënësve në klasat në shkollat publike amerikane e deri tek përpjekjet për të zhdukur malarjen në Afrikë: ”Ai kishte më shumë para se kushdo tjetër në histori, dhe po përpiqet t’ua japë të tjerëve. Shumë njerëz do të përpiqeshin t’i mbanin për vete, ose të dhuronin fare pak dhe do të kërkonin medalje për këtë bamirësi. Por Bill dhe Melinda Gejts nuk lënë vend pa shkuar për të zbuluar metoda që sjellin rezultate pozitive. Për Bill Gejts, ky është synimi i jetës”.

Por Bill-i, biri i një avokati dhe një nëne shtëpiake nga Siatëll, i cili njihet si shumë i zgjuar, megjithëse disi i ngathët në marrëdhëniet sociale, ka edhe kritikë të shumtë. Disa prej tyre i gjen në kompaninë e internetit Netscape, të cilës në vitin 2003 gjykata i njohu të drejtën për të marrë një dëmshpërblim prej 750 milion dollarësh nga Bill Gejts për shkelje të ligjit për konkurrencë të ndershme e të rregullt. Gjykatës në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë e kanë shpallur Microsoft-in fajtor për krijimin e një sistemi monopol.

Bob Sinxhli është ekspert i zhvillimeve teknologjike. Ai thotë se shumë ekspertë të kësaj fushe nuk e pëlqejnë mënyrën sesi Bill Gejts e ka drejtuar industrinë e programeve elektronike. Ata mendojnë se këto programe nuk duhet të mbrohen me kode elektronike apo të kufizohen nga e drejta e autorit, por të jenë të përdorshme nga kushdo pasi kjo është mënyra më e mirë për të zhvilluar dhe përmirësuar programet. “Për ta Bill Gejts përfaqëson kontroll. Microsoft-i pak a shumë kontrollon tregun e kompjuterave personalë, gjë që ata e urrejnë. Dhe gjithë kjo urrejtje shfrehet ndaj Bill Gejtsit. Edhe sot e kësaj dite Bill Gejts vazhdon të bëjë komente shumë të papeshuara”.

Një shembull i komenteve të tilla - para shumë vitesh ai tha se ishte tepër i ri për t’u bërë filantrop. Në atë kohë ai sapo kishte filluar të mblidhte milionat e tij. Por pasi u martua me Melinda Gejts ai filloi të tregonte shpirtin bamirës. Ai thotë se fillimisht misioni i tij nuk ishte shëndeti i popullsisë, por kontrolli i numrit të popullsisë, pasi shoqëritë me familje më të vogla janë më të afta të rrisin, ushqejnë e arsimojnë më mirë fëmijët. “Kur mësova se kushtet e mira shëndtësore rezultojnë në familje më të vogla u çudita, pasi është një paradoks. Gjithmonë kisha menduar se ndodh e kundërta. Atëherë fillova të mendoj: kjo është pabarazia më e madhe dhe duhet të jetë përparësia kryesore”.

Bill Gejts është zotuar të dhurojë 90 për qind të pasurisë së tij para se të vdesë. Aktualisht llogaritet se ai ka 41 miliard dollarë. //az//

XS
SM
MD
LG