Lidhje

Sifdat dhe pengesat në përpjekjet për rindërtim pas cunamit 2004


Ka kaluar një vit që kur cunami shkatërrimtar goditi provincën Aceh në pjesën veriore të Indonezisë, dhe la 169 mijë vetë të vdekur ose të zhdukur si dhe shkatërroi pjesën më të madhe të rrugëve, urave dhe infrastrukturën. Ata që mbetën gjallë mbajnë zi për të vdekurit, por mijëra vetë ende jetojnë në çadra dhe barraka. Më pak se 20 për qind e 141 mijë shtëpive të shkatërruara janë rindërtuar. Ritmet e ulëta të rindërtimit kanë krijuar nervozizëm dhe padurim tek shumë prej personave të mbetur gjallë:

Komuniteti ndërkombëtar u përgjigj menjëherë pas cunamit të 26 dhjetorit 2004, duke u zotuar të japë më shumë se 6 miliard ndihma për provincën Aceh dhe duke dërguar çadra dhe ndihma emergjente për mbi 500 mijë vetë të mbetur pa strehë nga katastrofa.

Por në përvjetorin e cunamit më shumë se 70 mijë vetë ende jetojnë në çadra në kushte të mjerueshme ndërsa 80 mijë të tjerë jetojnë në barraka të mbi-ngarkuara dhe të zymta. Ata thonë se s’mund t’i durojmë më këto kushte dhe kanë vendosur të kthehen në shtëpitë e shkatërruara në Uhlee Lhee, një rajon i Banda Acehut pranë detit, i cili u shkatërrua thuajse plotësisht nga cunami.

Shumë të tjerë janë kthyer në fshatrat e shkatërruar. Ata kanë ndërtuar barraka me copa drunjsh që ka sjellë deti, ose jetojnë në banesa provizore me plasmas dhe beze të ngritura në themelet e shtëpive të shkatërruara. Në këtë ish-restorant në det, pronari i cili humbi të gjithë familjen po merr ndihma nga turistët që frekuentonin lokalin e tij.

Organizatat e ndihmave furnizojnë me ushqime personat në nevojë, dhe shumë banorë përpiqen të mbijetojnë duke peshkuar ose duke mbledhur copa metali për t’i shitur. Megjithëse organizatat e ndihmave kanë fonde prej dhjetëra miliona dollarësh, procesi i rindërtimit ndesh në pengesa të shumta. Kreu i Agjencisë qeveritare për Rindërtim dhe Rehabilitim, Kuntoro Mangkusubroto thotë se problemet e pronësisë, konkurenca mes agjencive të ndihmave dhe mungesa e materialeve të ndërtimit janë disa prej pengesave. Korrupsioni është gjithashtu një pengesë e madhe.

Zoti Kuntoro thotë se askush nuk i kishte të qarta përmasat e këtij operacioni: "Askush nuk ka pasur një përvojë të tillë më parë. Nuk ka pasur më parë cuname në një zonë të tillë të largët, të izoluar dhe të përfshirë në konflikt".

Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq ofron një zgjidhje. Ajo synon të ndërtojë 20 mijë banesa të përkohshme brenda marsit të 2006-s. Strukturat janë të lehta por të qëndrueshme dhe të përshtatshme për kushtet klimatike të zonës. Ato mund të transportohen dhe të montohen me lehtësi.

Kevin William Diegler, bashkërenduesi i projektit ndërtimor për Kryqin e Kuq thotë se fshatarët do të mësojnë si t’i ndërtojnë vetë banesat e tyre: "Janë struktura të thjeshta të gatshme, por e kryejnë funksionin. Banorët vendas deri tani janë treguar shumë entuziastë dhe mezi presin që t’i futen punës. Tani na duhet t’i sjellim sa më parë këtu që t’i montojmë dhe të fillojë rindërtimi i jetëve të tyre që ata t’i kthehen njëfarë jetese normale".

Acehu ka qenë përfshirë nga konflikti disa dekadash, i cili u ka kushtuar jetën mbi 10 mijë vetëve, shumica civilë. Por cunami shkatërrimtar i detyroi palët ndërluftuese, separatistëve që kërkojnë shkëputjen e Acehut dhe qeverisë indoneziane, të pranonin një marrëveshje paqeje. Zëdhënësi i forcave separatiste Bakhtiar Abdullah thotë se të dyja palët dëshirojnë rindërtimin e zonës: "Nga zhvillimet në terren dhe nga bashkëpunimi i deritanishëm mund të them se çdo gjë po ecën në drejtimin e duhur. Jemi optimistë se çdo gjë po ecën më së miri."

Më 26 dhjetor të vitit të kaluar në brigjet e goditura nga cunami nuk kishte asgjë veçse fshatra të shkatërruara, trupa të vdekurish dhe tonelata mbeturina. Por tani me ndihmë të organizatave ndërkombëtare, orizoret janë pastruar dhe është kthyer gjelbërimi. Megjithatë strehimi mbetet një përparësi. Për mijëra persona që i shpëtuan cunamit, por humbën të afërmit dhe banesat, dhe tani jetojnë në kushte të mjerueshme, banesat provizore janë një nevojë tepër urgjente.

XS
SM
MD
LG