Lidhje

Kosumi: Ne përpiqemi për një Kosovë me të drejta të barabarta për të gjithë


Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi theksoi rendësinë që qeveria e tij i kushton ndërtimit të marrëdhënieve të mira me fqinjët dhe ndërtimit të një shoqërie demokratike ku do të garantoheshin të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët e saj.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, është bërë e zakonshme që në fund të vitit të bëhet një bilanc i punës që është bërë gjatë vitit. Po t’u kërkohej një bilanc i tillë, si do ta vlerësonit vitin 2005.

Kosumi: Viti 2005 për Kosovën është vit i qartësimit të shpresës së madhe të popullit të Kosovës dhe vit i ecjes së popullit të Kosovës me hap të sigurt kah e ardhmja e tij. Është vit i suksesit në fushën politike, sepse hapi deren për statusin final të Kosovës. Por është vit edhe i suksesit në fushën e stabilizimit, funksionalizimit të institucioneve demokratike sepse në këtë vit u vu rregull në shumë prej këtyre institucioneve, në shumë struktura të shoqërisë sonë, duke filluar nga buxheti i Kosovës, nga arsimi i lartë dhe në fushën e legjislacionit, administratës publike etj. Po ashtu duke vazhduar me suksese të mëdha në fushen ekonomike që krijon një shpresë të madhe te populli i Kosovës për një të ardhme ndryshe.

Zëri i Amerikës: Tashmë po hyjmë në vitin 2006. Zoti kryeministër, çfarë prisni nga ky vit?

Kosumi: Si e thashë, viti 2005 ishte vit i qartësimit të shpresës së madhe të popullit të Kosovës. Viti 2006 do të jetë vit i vendimeve historike për Kosovën. Në vitin 2006, populli i Kosovës do të shkruaje dhe do të nënshkruaje faqen më të lavdishme të historisë së vet. Do të bëjë shtetin e Kosovës dhe në këtë mënyrë do të hap perspektivën për veten, për familjen evropiane, për progresin ekonomik, politik e demokratik të popullit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Keni thënë dhe më herët madje disa herë se me bashkësinë ndërkombëtare madje edhe me Beogradin mund të bisedoni se si të bëhet Kosova shtet. Zoti kryeministër si mendoni vërtetë ta bëni Kosovën shtet?

Kosumi: Bërja e Kosovës shtet, nuk e besoj dhe nuk kam besuar asnjëherë se do të jetë rezultat i një marrëveshjeje njëorëshe ose i një konference të vetme. Është rezultat i investimit të madh të popullit të Kosovës për dekada të tëra. Është rezultat i investimit te popullit shqiptar në përgjithësi dhe më shumë se kaq, rezultat i investimit të bashkësisë ndërkombëtare nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe për të ndërtuar lirinë në Kosovë, për të ndërtuar shansin për popullin e Kosovës ashtu si për të gjithë popujt tjerë, që populli vete të krijojë të ardhmen e vet dhe prosperitetin e vet. Dhe unë mendoj se kjo do të bëhet. Duhet të bisedohet për këtë, duhet të negociohet për të dhe të arrihen marrëveshje për të, sepse ky fakt krijon relacione të reja me fqinjët, me Serbinë, relacione të reja për vetë qytetarët e Kosovës, relacione të reja ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit ose Prishtinës dhe NATO-s dhe të gjitha këto duhet të bisedohen dhe negociohen. Por, të gjitha këto biseda, të gjitha këto negociata bëhen për të vetmin qëllim, që të bëhet shteti i Kosovës.

Zëri i Amerikës: Janë dy çështje të rëndësishme që janë shtruar në vazhdimësi edhe nga bashkësia ndërkombëtare si detyrime para institucioneve të Kosovës: qëndrimi i institucioneve kundruall pakicave kombëtare por edhe kundruall pranisë së bashkësisë ndërkombëtare edhe pas zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. Si i shihni ju këto?

Kosumi: Është e saktë. Pozita e grupeve të vogla etnike në Kosovës, veçanërisht e grupit etnik serb, është dhe do të jetë çështja kryesore në bisedat për statusin final të Kosovës. Qeveria e Kosovës dhe delegacioni i saj do të ofrojnë ashtu sikurse në tërë këto vitet e pasluftës, një perspektivë evropiane për grupet e vogla etnike. Shteti që po duam të krijojnë nuk u përngjan shteteve në të kaluarën në këto hapësira. Qeveria dhe shteti që po duam të krijojmë, nuk do të jetë në luftë me grupet e vogla etnike, por do të bëjë të kundërtën, do të ofrojë shansin për grupet etnike, shansin për çdo qytetar të Kosovës. Politikat e Beogradit për dekada të tëra kanë ofruar koncepte për shtetet monoetnike, për enklavat etnike për korridoret etnike, për ndarjen e territoreve për luftërat për territore etj etj. Ne po ofrojmë një bashkim të diversiteteve, një shoqëri të shumë kulturave, një shoqëri shumetnike, një shoqëri në të cilën serbi i Graçanicës, shqiptari i Kosovës, turku në Mamushë, romët boshnjakët etj, e shikojnë njëri tjetrin në radhë të parë si njerëz, si miq dhe pastaj kulturat e tyre mund të bashkëjetojnë. Kjo është perspektiva që ne ofrojmë për shoqërinë që është në përputhje me vlerat evropiane të krijuara në shekujt e fundit. Sa i përket çështjes së dytë, ne jemi shumë të hapur dhe kjo është çështje që duhet të diskutohet ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit, ose bashkësisë ndërkombëtare. Prezenca ndërkombëtare në Kosovë është dhe do të jetë besoj në dy forma: prezencë ushtarake që ka një konsensus të gjerë të faktorit politik të Kosovës për prezencë afatgjatë të NATO-s që ndikon jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin si faktor stabilizues dhe faktor garancie për stabilitet, por ne angazhohemi të kemi një prezencë civile që do të jetë rezultat i marrëveshjes në mes të qeverisë së Kosovës, Komisionit Evropian dhe Uashingtonit. Në ato fusha ku ne kemi nevojë për ndihmë, për përkrahje të vazhdueshme. Ne do të ulemi dhe do të bëjmë marrëveshje me Komisionin Evropian, me Uashingtonin dhe me faktorë të tjerë për prezencë civile në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, një cështje e zakonshme për raste të tilla festash. Cili është mesazhi juaj për qytetarët e Kosovës?

Kosumi: Mesazhi im është plot shpresë dhe optimizëm. Në këtë vit do të bëjmë realitet ëndrrën tonë shekullore. Por dhe më shumë se kaq. Ne do të fitojmë shansin dhe mundësinë të jetojmë si njerëz të lirë, si shtetas të Kosovës, si njerëz që mund të krijojmë jetën tonë shumë më të mirë se sa e kishim, të krijojmë paqen tonë shumë më të mirë, të krijojmë standardin ekonomik dhe jetësor se sa që e kemi pasur deri tani dhe për këtë na duhet një angazhim edhe më i madh, na duhet një bashkim edhe më i madh, një tolerancë edhe më e madhe, një respekt për njëri tjetrin, një besim tek njëri tjetri, dhe bashkë me bashkësinë ndërkombëtare të gjejmë forma më të mira, më të lehta dhe më të shpejta, për të hapur derën përfundimisht për këtë shans historik për popullin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG