Lidhje

Ngjarjet kryesore të vitit 2005


Fatkeqësitë natyrore, terrorizmi dhe ndryshimet politike ishin disa prej ngjarjeve që do të mbahen mend nga viti 2005. Në materialn e mëposhtëm do t’u hedhim një vështrim këtyre ngjarjeve dhe rëndësisë së tyre.

Zemërimi i natyrës – nga brigjet e shkatërruara të Oqeanit Indian e deri te dëmet masive të tërmetit në fshtatrat malore të Azisë Jugore, solli tragjedi të shumta dhe njëkohësisht e bashkoi botën në operacionet e rindërtimit gjatë vitit 2005.

Fillimi i vitit i gjeti të mbijetuarit e cunamit në brigjet e Oqeanit Indian në një peisazh të shkretë dhe të shkatërruar. Më shumë se 200 mijë njerëz gjetën vdekjen, mijra të tjerë u zhdukën dhe pronat e miliona banorëve u përpinë nga deti. Mijëra punonjës ndërkombëtarë ndihmash vërshuan në rajon për të dërguar ushqime, ujë dhe strehë si dhe për të parandaluar shpërthimin e sëmundjeve midis të mbijetuarve. Nën drejtimin e OKB-së, më shumë se 30 vende dërguan ndihma. Bujaria e pashembullt e njerëzve të shumtë kudo në botë bëri që të grumbulloheshin donacione me vlerë prej miliona dollarësh.

Në një skaj tjetër të botës, në Hemisferën Perëndimore, u shënua stina më shkatërrimtare e uraganëve e parë ndonjëherë. Një numër stuhish të fuqishme goditën Amerikën Qendrore, Meksikën dhe Shtetet e Bashkuara. Më shkatërrimtarja prej tyre ishte Katrina, e cila e përplasi furinë e saj në Gjirin e Meksikës, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 1 mijë njerëzve dhe duke e lënë qytetin Nju Orleans të përmbytur dhe thuajse të panueshëm. Imazhet e viktimave të bllokuara pa ushqim e pa ujë dhe reagimi i ngadaltë i autoriteteve, i habiti shumë njerëz në botë se si ishte e mundur që kjo të ndodhte në një qytet amerikan. Rindërtimi do të kërkojë vite dhe kjo do të jetë ndoshta fatkeqësia natyrore më e kushtueshme në historinë e Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët e Nju Orleansit thonë se ka mundësi që 500 mijë banorë të qytetit të mos kthehen kurrë.

Mbijetesa është tani peokupimi kryesor për të tre milion njerëzit e mbetur pa strehë nga tërmetik i tetorit i cili rrafshoi fshatra të tërë në Azinë Jugore. Ky ishte tërmeti më i fortë që godet Pakistanin në më shumë’ se një shekull. Ai la mbi 70 mijë të vrarë dhe mijra të tjerë të plagosur rëndë kudo në Azinë Jugore. Ndryshe nga cunami, ndihmat kësaj here nuk ishin aq të shumta: qindra njerëz në fshatrat e izoluara prej javësh nuk morën ndihma mjeksore. Sipas ekspertëve, ky ka qenë operacioni më i vështirë i ndihmave që bota ka ndërmarrë ndonjëherë. Pjesë të tjera të botës u goditën nga terrorizmi, duke përfshirë Egjiptin, Rusinë dhe Jordaninë.

Në mëngjesin e 7 korrikut, sulme të bashkërenduara goditën sistemin e transportit masiv të Londrës. Tre bomba në trenat e metrosë së Londrës shpërthyen 50 sekonda larg njëra-tjetrës gjatë orëve me shumë trafik të mëngjesit. Një bombë e katërt shpërtheu rreth një orë më vonë në një autobus dykatësh. 56 njerëz humbën jetën në këto sulme ndërsa 700 të tjerë u plagosën. Këto ishin shpërthimet me më shumë viktima që njeh Londra qysh nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Një sulm terrorist në Liban çoi në një ndryshim të rëndësishëm politik në Lindjen e Mesme. Shpërthimi i shkurtit shkaktoi vrasjen e ish kryeministrit libanez Rafik Hariri dhe të 20 personave të tjerë. Faji për vrasjen e Haririt iu hodh menjëherë Sirisë, një akuzë që pas u mbështet edhe nga një hetim i Kombeve të Bashkuara. Kjo u bë shkas për një varg protestash në Beirut dhe thirrje që forcat siriane të largoheshin nga vendi. Nën presionin ndërkombëtar, Damasku tërhoqi trupat e fundit nga Libani në muajin prill, duke i dhënë fund pranisë së tij 30 vjeçare.

Po në Lindjen e Mesme, gjatë vitit 2005 flamuri izraelit u ul në Gazë dhe kjo shënoi fundin e pushtimit izraelit 38-vjeçar në këtë territor palestinez. Rreth 9 mijë kolonë hebraikë u zhvendosën nga shtëpitë e tyre në Gazë dhe në Bregun Perëndimor – një përpjekje kjo e qeverisë izraelite për rigjallërimin e procesit të paqes. Lajmet më të rëndësishme nga Lindja e Mesme vazhduan të vijnë nga Iraku ku, megjithë vazhdimin e dhunës, votuesit zgjodhën një Asamble Kombëtare të përkohëshme, e cila u ngakua të hartojë kushtetutën e përhershme. Pas grindjeve të shumta politike, populli irakian më në fund e miratoi me shumicë dërrmuese kushtetutën me një referendum në muajin tetor. Procesi politik njëvjeçar i Irakut përfundoi me zgjedhjen e një Asambleje Kombëtare të përhershme në muajin dhjetor.

Megjithë zhvillimet politike në Irak, sulmet e kryengritësve dhe shtimi i numrit të viktimave e dëmtuan popullaritetin e Presidentit Bush gjatë vitit 2005. Pas rizgjedhjes një vit më parë, Presidenti Bush u përpoq të përdorte kapitalin politik të fituar. Por me mbarimin e vitit, ky kapital politik duket se u shpenzua. Shtimi i pakënaqësive ndaj luftës, reagimi jo i shpejtë qeveritar ndaj uraganit Katrina, ngritja e akuzave ndaj një këshilltari të lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe skandalet ku janë përfshirë udhëheqës të Partisë Republikane, e kanë lënë Presidentin Bush me nivelin më të ulët të mbështetjes popullore që nga fillimi i punës si President, duke rrezikuar programin e tij politik gjatë këtij mandati të dytë.

Gjatë vitit 2005 edhe Vatikani u prek nga ndryshimet me vdekjen e Papës Gjon Pali i Dytë, një mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe i paqes, i cili u bë një ndër figurat më të rëndësishme të shekullit të 20. Kardinali Joseph Ratzinger u bë Papa Benedikt i 16. 78 vjeçari Benedikt është Papa më i moshuar i zgjedhur në thuajse 3 shekujt e fundit.

XS
SM
MD
LG