Lidhje

Rënia e shitjes së kompakt-disqeve - prirja e sotme e tregut të muzikës


Tradicionalisht, në Shtetet e Bashkuara, shitjet e muzikës së regjistruar rriten ndjeshëm gjatë sezonit të festave, si ky që sapo u mbyll. Vitet e fundit, shitjet e kompakt-disqeve dhe të formave të tjera të muzikës së regjistruar kanë zënë rreth 40% të të ardhurave të kësaj industrie. Por kjo prirje ka filluar të ndryshojë.

Në sezonin e festave që lamë pas, të ardhurat nga muzika e regjistruar nuk qenë si në vitet e mëparshëm. Shitjet e albumeve muzikore ranë 8 përqind krahasuar me një vit më parë. Një nga arësyet ishte se gjatë 2005-s nuk pati shumë hite muzikore, thotë komentatori i Zërit të Amerikës për muzikën, Ray MacDonald:

"Muzika e regjistruar, përgjithësisht ra 4.5 përqind, dhe kjo sepse nuk ka patur muzikë vërtet tërheqëse. Mendoj se kjo është arësyeja kryesore që industria muzikore amerikane po shkon poshtë e më poshtë gjatë 5 viteve të fundit. Nëse nuk ka muzikë të mirë, edhe konsumatorët nuk do ta gjejnë dot."

Vitin që kaloi, pati më shumë albume që qendruan në vend të parë se sa çdo vit tjetër që nga 1991-shi – shenjë që tregon se pak këngëtarë kanë forcë tërheqëse të qendrueshme. Gjithashtu, tani që po përhapen mjete të tillë digjitalë si iPodi, shumë konsumatorë po heqin dorë nga albumet dhe po preferojnë t’i kenë këngët të ngarkuara një nga një sipas dëshirës në iPodin e tyre.

"Njerëzit po blejnë tani këngë dhe nuk blejnë aq shumë albumin e këtij apo atij këngëtari," thotë Ray McDonnald.

E megjithatë, shitjet e këngëve të veçanta nuk arrijnë dot ta përmbysin prirjen në rënie të shpejtë të kompakt-disqeve. Kjo vjen pjesërisht edhe për shkak të piraterisë në internet e cila çon në rënien e shitjeve të muzikës. Por ekspertët parashikojnë se industria muzikore do të vazhdojë të vuajë në vitin 2006, tani që video-lojrat dhe videodisqet dixhitale po dalin si alternativa të reja në treg. Madje, thonë ata, 2006-a mund të jetë një vit vendimtar për disa nga bizneset e industrisë muzikore në Shtetet e Bashkuara.//lk

XS
SM
MD
LG