Lidhje

Rusia rifillon furnizimin e vendeve evropiane me gaz natyror


Rusia ka rifilluar dërgimin e gazit natyror në vendet evropiane nëpërmjet Ukrainës para mbajtjes së bisedimeve me përfaqësuesit ukrainas për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për çmimet.

Rusia pezulloi furnizimin me gaz natyror të Ukrainës të djelën pasi ky vend refuzoi të pranonte një rritje çmimi me 400 përqind që do t’i jepte fund subvencioneve të Moskës për Ukrainën. Kjo masë pakësoi gjithashtu ndjeshëm furnizimet me gaz natyror të klientëve të tjerë evropianë të Rusisë. Por sot vende të tjera veç Ukrainës, që blejnë gaz natyror nga Rusia, thanë se furnizimi është normalizuar.

Një zëdhënës i monopolit shtetëror të Rusisë, Gazprom, akuzoi përsëri sot Ukrainën për përvetësimin e gazit natyror që kalon nëpër këtë vend, akuzë të cilën autoritetet ukrainase e hedhin poshtë.

Ukraina thotë se është e predispozuar t’i paguajë Rusisë një çmim më të lartë për gazin natyror, por me kusht që ngritja të jetë graduale.

Bill Gasperini, Moskë

Një delegacion zyrtarësh ukrainas të energjitikës shkuan në Moskë për të rifilluar bisedimet me kompaninë ruse të energjisë Gazprom, bisedime që synojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për çmimet e gazit. Bisedimet vijnë ndërkohë që Rusia rifilloi furnizimin me gaz të vendeve të Evropës.

Zyrtarë të kompanisë energjitike ukrainase Naftogaz po zhvillojnë bisedime me zyrtarë të Gazpromit në Moskë, për të zgjidhur krizën e furnizimeve me gaz. Bisedimet u ndërprenë para ditës së vitit të ri, kur Ukraina refuzoi të pranonte kërkesën e Rusisë për një rritje prej 400 përqind të çmimit të gazit rus.

Kjo bëri që Gazpromi të ndërpriste gazin në tubacionet që bënin furnizimin e Ukrainës dhe një pjese të mirë të vendeve evropiane. Kur një numër vendesh evropiane njoftuan se rezervat e tyre ishin në rënie, Gazpromi premtoi të rifillonte furnizimin e plotë. Hungaria, Franca dhe vende të tjera kanë njoftuar se furnizimi po kthehet në gjendjen normale. Rusia ia vuri fajin Ukrainës për këto mungesa duke thënë se fqinji i saj po vidhte gazin që ishte destinuar për Evropën perëndimore.

"Zëdhënësi i Gazpromit Sergei Kupriyanov thotë se Ukraina vazhdon të marrë gaz në mënyrë të paligjshme".

Ai thotë se Gazpromi ka rritur sasinë e furnizimit për të kompensuar marrjen e paligjshme të gazit nga Ukraina po nuk do ta bënte këtë përgjithmonë.

Ukraina e mohon të ketë marrë gaz që do të shkonte në Evropë, dhe akuzon Rusinë se po dënon këtë vend për prirjet pro-perëndimore nën presidentin Viktor Jushçenko. Kriza e gazit ka nxjerrë në pah varësinë e Evropës nga Rusia për nevojat energjitike, dhe disa vende e fajësuan Moskën se po përdor energjinë si armë politike.

Evropa importon rreth një të katërtën e gazit të saj natyror nga Rusia nëpërmjet tubacioneve, pjesa më e madhe e të cilave kalojnë nëpër Ukrainë. Furnizuesi i dytë më i madh që është Norvegjia thotë se po përdor kapacitetin e saj të plotë. Zyrtarë të energjitikës në Bashkimin Evropian do të zhvillojnë një takim të posaçëm nesër në Bruksel për të diskutuar çështje që lidhen me sigurinë në aspektin e energjisë, në atmosferën e thirrjeve për të ulur varësinë e kontinentit nga Rusia.

Ndërkohë, si për ironi, presidenti rus Vladimir Putin thotë se çështja e sigurisë së energjisë do të jetë këtë vit përparësi e udhëheqjes ruse së bashku me atë të grupit të tetë vendeve më industrializuara.

XS
SM
MD
LG