Lidhje

Negociatat për statusin e Kosovës duket se do të çojnë në një pavarësi të kushtëzuar


Ekspertët mendojnë se 2006-ta do të jetë viti kur të paktën do të përcaktohet rruga që do të ndiqet në përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Në një takim të mbajtur dje në Fondacionin Heritage në Washington, ekspertë dhe diplomatë amerikanë, thanë se negociatat për statusin duket se do të çojnë në një pavarësi të kushtëzuar. Ata u bënë thirrje shqiptarëve të Kosovës që të shtojnë përpjekjet për të garantuar të drejtat e pakicës serbe nëse dëshirojnë pakësimin e pranisë ndërkombëtare.

Ambasadori James Dobbins, drejtor për Sigurinë Ndërkombëtare dhe Politikën e Mbrojtjes në Korporatën RAND, ish i dërguar i administrates së presidentit Clinton per Ballkanin, thotë se në fillim, pasi ndërhyri në Kosovë, komuniteti ndërkombëtar nuk pati një strategji të largimit nga Kosova sepse për shkak të situatës së acaruar, ende nuk ishte koha për zgjidhjen e statusit përfundimtar. Por tani, tha ai, është momenti i duhur për të diskutuar mbi të ardhmen e saj. “Megjithëse 2005-a nuk qe një vit vendim-marrjeje për Kosovën, të paktën ky ishte viti kur iu hap rruga negociatave dhe fillimit të procesit që do të çojë në këtë vendim, i cili presim që të merret këtë vit”, tha ai.

Ndërsa John Norris, ekspert i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, thotë se tani është e qartë se rruga e vetme për të cilën po punohet është pavarësia me kushte. “Nëse analizon me kujdes pavarësinë me kushte, duket se kjo është e vetmja alternativë që mund të shqyrtohet, kryesisht për arsye se alternativat e tjera, thjesht nuk janë tërheqëse. Askush nuk e do ndarjen e Kosovës, ose të paktën, askush nga pjesëtarët e Grupit të Kontaktit. Ideja për Shqipërinë e Madhe nuk gëzon mbështetje dhe nuk ekziston ndjesia që Kosova thjesht t’i bashkangjitet Serbisë”, theksoi ai.

Zoti Norris tërhoqi vëmendjen për atë që ai e quajti sjellje problematike tek shqiptarët e Kosovës, duke thënë se ata duhet të ndihmojnë sa më shumë komunitetin ndërkombëtar, sepse sa më shpejt të ecë procesi i negociatave, aq më shpejt do të arrihej pavarësia që ata dëshirojnë. “Megjithatë, në vend që ata të luajnë rolin e lehtësuesit, ka një prirje në klasën politike shqiptare që të përpiqen t’i bëjnë qejfin popullatës së tyre, të rrahin gjoksin, duke thënë se sovraniteti i plotë është e vetmja rrugë”, tha z. Norris. Ai kritikoi gjithashtu prirjen e partive politike për të vënë njerëzit e tyre në poste kyçe të Ministrise së Drejtësisë dhe sidomos të Rendit, duke theksuar se ato po humbasin kështu pikë para komunitetit ndërkombëtar. “Unë mendoj se shqiptarët e Kosovës, po humbasin disa shanse të thjeshta për t’i shtuar pikë vetes dhe për të treguar që kanë pjekurinë politike për të vënë në jetë synimin e pavarësisë. Mendoj se shqiptarët e Kosovës nuk po e kuptojnë se është më mirë për ta që të merren me hollësitë e statusit përfundimtar, se sa të këmbëngulin në pozicionin e pavarësisë së plotë dhe të menjëhershme”, theksoi ai.

Zoti Norris foli gjithashtu për rëndësinë e mbrojtjes së pakicave nga ana e institucioneve të Kosovës. “Për të patur një prani më të pakët ndërkombëtare në të ardhmen, shqiptarët e Kosovës duhet të punojnë me forca të shumëfishuara për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat e pakicës serbe. Ata duhet të fillojnë të veprojnë si një qeveri evropiano-perëndimore e përgjegjshshme, gjë që nuk e kanë berë deri tani”, shtoi ai.

Dr. Charles Kupchan, Drejtor për Studimet mbi Evropën në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se nga njëra anë, pavarësia e Kosovës i duket si një dështim i përpjekjeve për një shoqëri shumetnike, por nga ana tjetër, e sheh pavarësinë si të vetmen zgjidhje. “Unë mendoj se mënyra më e mirë për të vendosur qendrueshmërinë në rajon dhe për të rikthyer të paktën një farë niveli të bashkekzistencës shumetnike, do të ishte të ecet drejt pavarësisë. Dhuna është më e mundshme, nëse pavarësia mohohet ose vonohet, se sa nëse jepet tani”, tha ai.

Zoti Kupchan tha se nuk e përjashton ndarjen si mundësi, duke patur parasysh kushtet në terren. “Unë nuk jam në favor të ndarjes, por mendoj se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet ta përjashtojë atë si mundësi, sepse kjo mund të krijojë hapësirën për kompromis, mund ta bëjë Beogradin të thotë: po të marrim veriun, heqim dorë nga Kosova”, theksoi z. Kupchman. Ai theksoi gjithashtu se Kosova nuk duhet të shihet si precedent për territore të tjera në botë që duan pavarësinë, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar duhet ta bëjë të qartë se Kosova do të ishte një rast i veçantë.

XS
SM
MD
LG