Lidhje

Çfarë do të sjellë 2006-a në politikën amerikane?


2006-ta është një vit zgjedhjesh për në kongresin amerikan dhe situata në Irak do të jetë një çështje e rëndësishme në votimet e nëntorit.

Siç ndodhi edhe gjatë 2005-ës, Iraku mund të dominojë skenën e brendëshme politike edhe gjatë 2006-ës. Anketat e opinionit publik parashikojnë një rënie të vazhdueshme të popullaritetit të presidentit Bush për pjesën më të madhe të 2005-ës ndërsa analistët politikë thonë se lajmet jo të mira nga Iraku kishin të bënin shumë me këtë rënie.

Drejt fundit të vitit, mbështetja për presidentin u ngriti pak pas një serie fjalimesh gjatë të cilave ai mbrojti politikën e tij në Irak. Shumë amerikanë shpresojnë se përparimi drejt demokracisë në Irak këtë vit do të çojë në një tërheqje të rëndësishme të trupave në muajt e ardhshëm.

Presidenti Bush tha se ka arsye për të qënë disi optimist në Irak dhe se disa trupa amerikane do të tërhiqen shpejt. Por ai shtoi gjithashtu se nuk do të dorëzohet para trysnisë politike nga disa demokratë të opozitës për të shpejtuar tërheqjen e trupave:

Vendimet e mia do të bazohen në kushtet në terren dhe rekomandimet e komandantëve tanë, dhe jo në kufijtë kohorë politikë të Washingtonit. Unë nuk do të lejoj që politika të ndërhyjë në atë që duhet bërë në Irak dhe populli amerikan duhet ta kuptojë një gjë të tillë", tha presidenti.

Demokratët shpresojnë të fitojnë në zgjedhjet e nëntorit kur do të votohet për të gjitha vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe një të tretën e Senatit amerikan. Fati politik i demokratëve do të varet pjesësisht në opinionin e publiku për situatën në Irak.

Ndërkohë, nuk ka një qendrim të përcaktuar të demokratëve për Irakun, përveç thirrjeve nga shumë ligjvënës opozitarë që administrata Bush të jetë më specifike se kur dhe si do të dërgohen trupat amerikane në luftë. Senatori Jack Reed është demokrat nga Rhode Island:

“Fatkeqësisht kjo mbetet e paqartë. Presidenti ende nuk ka thënë se sa gjatë mendon kjo administratë të zgjasë procesi dhe sa do të kushtojë ai përsa i përket financimit dhe angazhimit të ushtrisë amerikane dhe personelit civil”, tha zoti Reed.

Presidenti Bush përballet me një sërë sfidash të brendëshme dhe të politikës së jashtme në muajt e ardhshëm përfshi situatën e përgjithshme politike në Lindjen e Mesme, përpjekjet e rimëkëmbjes në vend pas uraganit Katrina dhe betejën në senat mbi kandidaturën për në Gjykatën e Lartë të Samuel Alito-s.

Por presidentit do ti duhet të luftojë ndoshta edhe me historinë gjatë 2006-ës. Mandatet e dyta presidenciale kanë qënë tradicionalisht të vështira për presidentët e kohëve moderne dhe shpesh ofrojnë mundësi për partinë opozitare.

Larry Sabato drejton Qendrën për Politikat në Universitetin e Virginias dhe ishte i ftuar në një nga programet e Zërit të Amerikës:

“Kjo është gjithmonë një periudhë e vështirë zgjedhjesh gjatë mandatit të dytë presidencial. Në vitin e gjashtë të presidencës, zakonisht rezulton që një numër i konsiderueshëm vendesh t’i shkojnë partisë opozitare. Është e vështirë të thuash se sa vende do të jenë ato dhe po ashtu e vështirë të parashikosh në se do të jenë të mjaftueshme që demokratët të marrin kontrollin në të dyja dhomat e Kongresit”.

Një çështje tjetër e rëndësishme politike këtë vit mund të jetë skandali i korrupsionit në Kongres që ka përfshirë një nga lobistët më të fuqishëm të Washingtonit, Jack Abramoff. Abramoff ka pranuar tashmë të jetë përpjekur të blejë ndikimin e disa ligjvënësve dhe po bashkëpunon në hetimin federal për të parë në se anëtarë të kongresit kanë thyer ligjin duke pranuar dhurata dhe kontribute në fushata nga Abramoffi dhe klientët e tij.

XS
SM
MD
LG