Lidhje

Shqiptarët e Kosovës dhe serbët shkojnë drejt bisedimeve për statusin, me pothuajse asgjë të përbashkët


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe eksperti i çështjeve serbe, Obrad Kesiç, folën në Washington mbi të ardhmen e Kosovës në një forum të organizuar nga Instituti i Paqes, i cili financohet nga qeveria amerikane. Mes tyre kishte shumë pak gjëra të përbashkëta për sa i përket të ardhmes së Kosovës.

Hashim Thaçi pranoi se 2006-ta është një vit kritik për Kosovën. Shimica shqiptare prej 90 për qind e Kosovës, theksoi ai, pret për pavarësinë që nga viti 1999. Kombet e Bashkuara, të këshilluar nga një grup kontakti i fuqive të mëdha, po hapin negociatat për statusin përfundimtar, të cilat duhet të zhdukin hendekun midis dy qendrime në dukje të papajtueshme. Serbia, e cila nuk ka ushtruar pushtet mbi Kosovën që nga viti 1999, po ofron autonomi të gjerë, por jo pavarësinë.

Zoti Thaçi kryeson partinë e dytë të Kosovës për nga madhësia, e cila fitoi 27 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2004. Ai është anëtar i ekipit negociator të Kosovës. Zoti Thaçi paralajmëroi për mundësinë e shpërthimit të konfliktit nëse Kosovës nuk i jepet pavarësia:

“Nëse arrihet vendimi për të mos i dhënë Kosovës pavarësinë, theksoi zoti Thaçi, pasojat do të jenë rrënimtare dhe destabilizuese për mbarë rajonin. Një zhvillim i tillë do t’i jepte shtytje të fuqishme nacionalizmit serb dhe do të linte të zhgënjyer një numër të madh banorësh të Kosovës.”

Edhe Obrad Kesiç, një shtetas amerikan i lindur në Serbi, i cili shërben si analist i çështjeve ballkanike në Washington, paralajmëron për mundësinë përtritjes së konfliktit nëse Kosova shkëputet nga Serbia dhe i jepet pavarësia me gjithë kundërshtimet e qeverisë serbe:

“Nëse pavarësia jepet pa miratimin e Serbisë, tha zoti Kesiç, ju do të keni paqendrueshmëri afatëgjatë që do të ndikojë mbi Bosnjën, Maqedoninë, Serbinë jugore dhe shtete të tjera të rajonit.”

Zoti Kesiç thotë se nuk ka të ngjarë që negociatat të çojnë në një konsensus dhe se ka mundësi që çështja e statusit të lihet për më vonë. Kjo, tha ai, do të nxitë dhunë të re nga ana e shqiptarëve kundër pakicës së vogël serbe në Kosovë.

Zoti Thaçi tha se politikanët e Kosovës e pranojnë se nuk do të ketë pavarësi pa garanci për pakicat jo shqiptare. Ai mohoi se serbët në Kosovë janë nën kërcënim të vazhdueshëm, se atyre u duhet të jetojn në enklava të mbrojtura dhe mund të udhëtojnë lirisht vetëm kur janë të shoqëruar nga paqeruajtësit e Natos.

Negociatat për statusin përfundimtar po kryesohen nga ish-kryeministri finlandez, Marti Ahtisari, i cili luajti rol të rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes së vitit 1999 që çoi në përfundimin e fushatës ajrore të Natos kundër Serbisë dhe në tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Zotit Ahtisari po i jepet ndihmë në këto përpjekje nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia.//kk//

XS
SM
MD
LG