Lidhje

Grupi i Krizave paralajmëron për vështirësitë e Maqedonisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian


Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se vendimi i Bashkimit Evropian për t’i dhënë Maqedonisë statusin e kandidatit është një moment i rëndësishëm në udhën e këtij vendi drejt integrimit evropian. Megjithatë, organizata shton se fakti që nuk është parashikuar një datë për bisedimet e anëtarësimit është një tregues i sfidave praktike dhe politike me të cilat përballet vendi. Organizata publikoi dje një raport për Maqedoninë, ku vinte në dukje se megjithëse zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është në përfundim e sipër dhe atje kanë filluar reformat qenësore, përparimi i konsiderueshëm, është gjithsesi relativ.

Komuniteti ndërkombëtar, thuhet në raport, duhet ta vazhdojë trysninë ndaj qeverisë për të vepruar më me shpejtësi në sektorë jetikë, përfshirë policinë dhe veçanërisht gjyqësorin. Reformat në polici dhe gjyqësor, thotë Grupi i Krizave, nuk janë vetëm parakushte për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ato kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek aftësia e koalicionit për të qeverisur në mënyrë të përgjegjshme.

Megjithëse në raport vlerësohen përpjekjet për reformën e policisë, përfshirë shtimin e oficerëve shqiptarë, aty thuhet se policia nuk mund të bëhet krejtësisht transparente dhe e përgjegjshme nëse nuk trajton çështje thelbësore si decentralizimi i autoritetit dhe formimi i një personeli në bazë të meritave.

Sistemi i gjyqësorit vazhdon të jetë i pareformuar dhe jofunksional dhe t’i nënshtrohet ndikimit të madh të ekzekutivit, si edhe korrupsionit, duke u shërbyer kështu interesave politike. Qeveria ka hartuar disa amendamente kushtetuese, por ajo duhet tani t’i zbatojë ato duke larguar gjykatës të korruptuar dhe të paaftë dhe duke kualifikuar ata që janë të zotë.

Grupi i Krizave thotë se edhe dy çështjeve të tjera duhet t’i kushtohet rëndësi e veçantë në vitin 2006. Transferimi së shpejti në vend i katër çështjeve të krimeve të luftës nga Gjykata e Hagës shton rrezikun për kthimin e fantazmave të konfliktit të vitit 2001 dhe sfidon sistemin e brishtë gjyqësor. Rruga për trajtimin e këtyre çështjeve, në mënyrë operacionale dhe politike do të ketë pasoja në politikën e brendshme dhe marrëdhëniet e Maqedonisë me partnerët ndërkombëtarë. Në fakt Grupi Krizave sugjeron që Maqedonia të përpiqet që ta shtyjë transferimin e këtyre çështjeve nga Haga të paktën deri në fund të vitit 2006, ndërsa punohet në drejtim të reformave në gjyqësor.

Tensioni në rritje brenda komunitetit mysliman, mosmarrëveshjet e udhëheqjes së të cilit janë përhapur në arenën publike, ka ngritur pyetjet nëse vendi kërcënohet nga islamizmi radikal. Sipas raportit nuk ekziston ndonjë kërcënim real në këtë drejtim, por udhëheqësit shqiptarë janë të shqetësuar se këto lloj betejash për pushtet hedhin një dritë të keqe mbi komunitetin e tyre dhe mund të munipulohen nga kundërshtarët politikë.

Në raport thuhet se Maqedonia është ende një demokraci e brishtë, që mund të tronditet lehtë nga ata që duan të shfrytëzojnë procesin e papërkryer të reformave. Grupi i Krizave thotë se rruga drejt Evropës do të jetë e sigurt vetëm nëse Maqedonia zbaton nismat e nevojshme dhe është në gjendje të përballojë sfidat politike para se të shndërrohen në kriza.

Grupi i Krizave sugjeron që duke filluar në qershor 2006, Brukseli duhet të vendosë një mision të ri në Maqedoni me më shumë burime financiare dhe të personelit. Ky mision duhet t’i raportojë të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian dhe duhet të ketë një mandat të zgjeruar ku të përfshihet gjithë sistemi i drejtësisë. Sipas raportit, ai duhet të ketë këshilltarë në ministritë e drejtësisë dhe të brendshme, në prokurori dhe në polici.

Po ashtu, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian duhet të bashkëpunojë me qeverinë për të caktuar një këshilltar për çështjet e drejtësisë dhe të brendshme pranë kryeministrit, që do të ngarkohej me inkurajimin e reformave dhe bashkërendimin mes ministrive dhe njësive të tjera qeveritare.//kk//

XS
SM
MD
LG