Lidhje

George Bush dhe Angela Merkel do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të bindur Iranin të mos prodhojë armë bërthamore


Presidenti Bush tha se po bashkëpunon ngushtë me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe aleatët e tjerë evropianë për të vendosur se çfarë hapash do të ndërmerren për ndaluar Iranin të prodhojë armë bërthamore, tani që negociatat me Teheranin janë ndërprerë. Pas takimit me kancelaren në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Bush tha se hapi i ardhshëm, sipas tij, është referimi i Iranit në Këshillin e Sigurimeve të Kombeve të Bashkuara për sanksione të mundshme.

“Nëse Irani do të ketë armë bërthamore kjo do të paraqesë një kërcënim të madh për sigurinë botërore. Dhe vendet tona kanë detyrim të punojnë së bashku dhe t’u dërgojnë një mesazh të përbashkët iranianëve se qëndrimi i tyre, pra përpjekja për të prodhuar fshehtazi armë bërthamore, duke përdorur si maskë programin civil, për të mësuar si t’i prodhojë këto armë – është e papranueshme”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, kancelarja Merkel tha se është shumë e rëndësishme për udhëheqësit iranianë të kuptojnë se sa serioz është komuniteti ndërkombëtar për ta ndaluar Iranin të prodhojë armë bërthamore.

Ajo tha se deklaratat e fundit nga presidenti Mahmoud Ahmadinejad që vënë në pikëpyetje Holocaustin dhe bëjnë thirrje për të zhdukur shtetin e Izraelit, e bëjnë edhe në të rëndësishëm një qëndrim të përbashkët ndaj Teheranit.

"Deklaratat e Iranit kohët e fundit kanë qënë totalisht të papranueshme, për shembull vënia në pikëpyetje e të drejtës së Izraelit për të ekzistuar, apo komentet që i referohen Holokaustit dhe është e rëndësishme mendojmë që Gjermania, Franca dhe Britania së bashku me Shtetet e Bashkuara të kenë një qëndrim të përbashkët".

Zonja Merkel tha se komuniteti ndërkombëtar nuk do të frikësohet nga një vend si Irani. Por nuk është e qartë nëse kancelarja gjermane dhe presidenti amerikan kanë mbështetjen e Kinës dhe Rusisë për të paraqitur çështjen e Iranit para Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kina dhe Rusia kanë secila të drejtën e vetos për të bllokuar veprime të OKB-së.

Në përgjigje të një pyetje lidhur me deklaratën e Ministrisë së Jashtme Kineze se paraqitja e çështjes së Iranit në Këshillin e Sigurimit mund ta ndërlikojë çështjen, presidenti Bush tha se tani duhet të arrihet një konsensus i përbashkët për atë që e cilësoi si një objektiv të përbashkët:

"E diskutuam deklaratën kineze. Detyra jonë është t’ua bëjmë të qartë të gjitha palëve se është në interesin global që Irani të mos prodhojë armë bërthamore, pra me fjalë të tjera ne kemi të njëjtin objektiv. Sapo ta bëjmë të qartë këtë objektiv, do të jetë më e lehtë të identifikohet strategjia për arritjen e tij".

Presidenti tha se nuk do t’i paragjykojë vendimet që do të marrë Këshilli i Sigurimit. Ministria e Jashtme e Iranit ka thënë se nëse çështja e Iranit i paraqitet Këshillit të Sigurimit, inspektorët evropianë do të humbasin të drejtën për të vazhduar vëzhgimin e veprimtarisë bërthamore të Iranit.

Presidenti Bush dhe kancelarja Merkel diskutuan për një sërë çështjes, përfshirë Afganistnain, Ballkanin, Irakun, Lindjen e Mesme, Naton, marrëdhëniet tregëtare dypalëshe dhe luftën kundër terrorizmit.

Klancelarja Merkel po ashtu shprehu kundërshtimin e saj për qendrën e burgimit në Guantanamao, për të cilën ajo ka thënë se nuk duhet të ekzistojë në të ardhmen.

Presidenti Bush tha se burgu i ngritur në bazën detare amerikane, është i domosdoshëm për të mbrojtur amerikanët në luftën kundër terrorizmit.

//ic//

XS
SM
MD
LG