Lidhje

Torino - Në prag të Lojrave Olimpike Dimërore


Ndërkohë që kanë mbetur më pak se katër javë nga hapja e Lojrave Olimpike Dimërore të Torinos, ka ende shumë punë për t’u bërë. Do të ketë masa të forta sigurie në qytet, i cili nuk ka patur ndonjëherë më parë një numër aq të madh turistësh.

Torinezët thonë se qyteti duket më mirë pas përpjekjeve përgatitore për organizimin e Lojrave Olimpike Dimërore që do të zhvillohen muajin e ardhshëm, megjithatë puna nuk ka përfunduar ende.

Françeskoja është student 20 vjeç nga Siçilia që jeton në Torino. Ai thotë se qyteti ka ndryshuar dhe kjo falë Lojrave Olimpike. Ai thotë se një nga shkaqet se përse nuk është folur shumë për këto lojra në Itali është se sportet dimërore nuk janë popullore sa futbolli. Ai thotë se nuk e di a do të jetë në gjendje t’i ndjekë garat olimpike, meqenëse biletat janë tepër të shtrenjta për të ardhurat e një studenti. Ai shton se ato nuk janë për xhepat e kujtdo.

Loredana, ndihmës-shitëse nga Torinoja, që po ha picë në sheshin qendror të qytetit, Piazza Castello, përballë Pallatit Mbretëror, ku do të zhvillohen ceremonitë e dorëzimit të medaljeve, tregon me gisht punëtorët dhe skelat. Ajo thotë se shpreson që gjithçka të jetë gati brenda afatit dhe se dëshëron që vizitorët nga të gjitha anët e botës ta shijojnë qytetin e saj. “Jemi të gëzuar, pasi kjo është një ngjarje e rëndësishme. Për ne është si të hapësh një dritare për botën dhe kjo është e rëndësishme për qytetin tonë”.

Loredana thotë gjithashtu se shpreson që investimet e bëra për këtë ngjarje t’i shërbejnë qytetit edhe në të ardhmen. Ajo shton se Torinoja nuk është mësuar me një numër të madh vizitorësh dhe shprehu shqetësimin nëse masat e sigurimit do të jenë të mjaftueshme, duke patur parasysh numrin e madh të njerëzve që pritet të mbërrijnë.

Nga ana tjetër e sheshit, prefekti i Torinos, përgjegjës për sigurimin, tha se janë marrë masa të posaçme. Ai tha se tashmë është dislokuar një numër shtesë forcash policore dhe të tjera do të shtohen në ditë që vijnë. Prefekti Gofredo Sottile tha se çdo mjedis olimpik do të ketë sistemin e vet të sigurimit dhe përgjegjësin e vet në këtë aspekt. Ai tha se do të ketë gjithashtu një zyrë qendrore të ngarkuar me sigurimin olimpik. Vetë ministri i brendshëm i Italisë do të vizotojë më 23 janar mjediset olimpike në qytet dhe malet përreth për të parë gjendjen e masave të sigurimit.

Prefekti Sottile thotë se nuk ka patur ndonjë kërcënim të veçantë, por ekzistojnë shqetësime se Lojrat Olimpike Dimërore mund të vihen në shenjestër të terroristëve ndërkombëtarë apo anarkistëve në Itali, të cilët mund t’i shfrytëzojnë ato si mundësi për të tërhequr vëmendje ndaj kauzave të tyre.

XS
SM
MD
LG