Lidhje

Presidenti Bush nderon kujtimin e Martin Luther Kingut


Sot këtu në Shtetet e Bashkuara është Dita e Martin Luther Kingut i Riu. Presidenti Bush kujtoi pionerin e të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara, si njeri i angazhuar për të drejta të barabarta. Presidenti vizitoi sot Arkivin Kombëtar këtu në Washington ku ndaloi edhe tek Proklamata e Emancipimit, dokument i lëshuar nga presidenti Abraham Linkoln në vitin 1863, në bazë të të cilit u çliruan skllevërit në shtetet, që u shkëputën nga unioni. Zoti Bush tha se ishte e përshtatshme që të shkonte në Arkivin Kombëtar për të parë këtë dokument sot, festë federale për të kujtuar jetën e Martin Luther Kingut, i cili dje do të kishte mbushur 77 vjeç. Në mbarë Shtetet e Bashkuara, shumë amerikanë marin pjesë në shërbime publike dhe bëjnë punë vullnetare në komunitetet e tyre për të nderuar ish udhëheqësin e të drejtave civile.

Martin Luther King lindi më 15 janar, 1929 në Atlanta të shtetit Georgia. Biri i një prifti baptist, ai më pas mori emrin Martin, për nder të drejtuesit fetar që themeloi kishën luterane. Babai i Martinit, një prift i njohur, shprehej shpesh kundër politikave të ndarjes racore që zbatoheshin në Shtetet e Bashkuara gjatë pjesës më të madhe të shekullit të 20-të. Pikëpamjet e të atit patën një ndikim të thellë tek Martini i vogël, djali më i madh në familje.

Gjatë studimeve të doktoratës në teologji, në Universitetin e Bostonit, Dr. Kingu u njoh dhe më pas u martua me zonjushën Coretta Scott, me të cilën pati katër fëmijë. Dr. Kingu, një njeri shumë fetar, ishte edhe një mbrojtës i flaktë i të drejtave civile.

Në dhjetor 1955, Roza Parks, një afrikano-amerikane në Montgomery të Alabamës u arrestua se nuk kishte pranuar t’i lironte vendin në autobus një të bardhi. Arrestimi i saj nxiti një reaksion zinxhir, që vuri në qendër të lëvizjes Dr. Martin Luther Kingun.

Ai kryesoi lëvizjen për të bojkotuar autobusët e qytetit, një demonstratë paqësore që zgjati 382 ditë. Megjithëse u bë subjekt i keqtrajtimeve të shumta, Dr. Kingu arriti të siguronte fitoren e lëvizjes, kur Gjykata e Lartë mori vendimin se ndarja racore në autobus ishte jokushtetuese.

Nga viti 1957 deri në 1968, Dr. Kingu përshkoi afro 10 milionë kilometra gjatë udhëtimeve të tij për të folur kundër padrejtësisë sociale. Ai organizoi greva dhe forma të tjera protestash paqësore, bazuar në filozofinë e krishterë me të cilën ishte rritur si dhe taktikat e Mahatma Gandit, udhëheqësi indian që popullarizoi qëndresën paqësore.

Protestat masive në Birmingam të Alabamës në fillim të viteve ’60 tërhoqën vëmendjen e mbarë botës dhe frymëzuan Dr. Kingun të shkruante dokumentin “Letër nga burgu i Birmingamit” e cila mund të konsiderohet si manifesti i luftës së afrikano-amerikanëve për barazi.

Në gusht të vitit 1963, kur po udhëhiqte një demonstratë paqësore në Uashington, ai mbajti fjalimin “Unë kam një ëndërr” në shkallët e Përmendores së Linkolnit.

"Unë kam një ëndërr, se një ditë ky komb do të ngrihet dhe do të përmbushë realisht kredon e tij. Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të mirëqëna, se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë".

Fjalimi dhe demonstrata ishin ndër pikat kulmore të punës së Dr. Kingut për barazi racore. Po atë vit Dr. Kingu fitoi Çmimin Nobel të Paqes. Ai ishte 35-vjeç, laureati më i ri i këtij çmimi. Në vitin 1965, në përpjekje për t’iu garantuar afrikano-amerikanëve të drejtën e votës në jug të vendit, presidenti Lyndon Johnson nënshkroi Ligjin e të Drejtës së Votës.

Por Dr. Kingu e pagoi shtrenjtë për të gjitha fitoret, si politike edhe personale. Megjithëse ai organizoi protesta paqësore, ndërmjet forcave të rendit dhe protestuesve shpesh shpërthenin përleshje. Më në fund edhe vetë Dr. Kingu ra pre e dhunës, kur po udhëhiqte një demonstratë në Memphis të shtetit Tennessee, ku u qëllua për vdekje në prill 1968. Vrasja e tij u pasua nga demonstrata në mbarë Shtetet e Bashkuara, që shkaktuan plagosjen dhe arrestimin e mijërave vetëve. 60 deri në 70 mijë vetë morën pjesë në ceremonitë funebre në ditën e varrimit të Martin Luther Kingut në Atlanta.

Në vitin 1986, ditëlindja e Dr. Kingut u shpall ditë federale pushimi. Gjatë jetës së tij Dr. Kingu ishte një figurë shumë e debatueshme. Disa i shihnin me dyshim dhe frikë pikëpamjet dhe angazhimin e tij për ndryshime, ndërsa të tjerët admironin pikëpamjet e tij paqësore.

Sot, Dita e Martin Luther Kingut në Shtetet e Bashkuara shërben për të kujtuar padrejtësitë ndaj të cilave luftoi Dr. Kingu, si dhe për të kujtuar ëndrrën e tij që ka frymëzuar shumë të tjerë.

XS
SM
MD
LG