Lidhje

Tre udhëheqës të al-Kaidës njoftohet të kenë humbur jetën nga sulmi amerikan në Pakistan


Njoftohet se të paktën tre udhëheqës të lartë të al-Kaidës, përfshirë një mjeshtër të ndërtimit të bombave, mbetën të vrarë javën e kaluar në një sulm amerikan me raketa në Pakistanin lindor.

Agjencitë e lajmeve citojnë zyrtarë pakistanezë të sigurimit të kenë thënë se një nga të vrarët është identifikuar si Mithat Mursi, një ekspert i lëndëve plasëse, për të cilin mendohet se drejtonte një kamp stërvitor të al-Kaidës në Afganistan. Shtetet e Bashkuara kishin caktuar 5 milionë dollarë shpërblim për kapjen e tij.

Njoftohet se mes të vrarëve ishin edhe dhëndri i udhëheqësit numër dy të al-Kaidës, Ajman al-Zauahiri, dhe një egjiptian tjetër i quajtur Abu Obaideh al-Misiri, shefi i operacioneve kryengritëse në krahinën Kunar të Afganistanit.

Zyrtarët pakistanezë thonë se të paktën 18 vetë, përfshirë civilë, humbën jetën nga borbardimi i 13 janarit.

Kryeministri i Pakistanit, Sheuket Aziz, i cili ndodhet në një vizitë 6 ditëshe në Shtetet e Bashkuara, tha se vendi i tij nuk mund të lejojë sulme të tilla ajrore në territorin e tij.

Zoti Aziz tha se do ta shtrojë këtë çështje gjatë bisedimeve me zyrtarë amerikanë. Ai ka në plan të takohet me Presidentin Bush javën tjetër. //kk//

XS
SM
MD
LG