Lidhje

Analistët thonë se zëri në kasetën e transmetuar nga al-Xhazira është i bin Ladenit


Analistë të zbulimit amerikan thonë se zëri në një kasetë që thuhet se është regjistruar nga udhëheqësi i al-Kaidës, Osama bin Laden, është me të vërtetë i udhëheqësit terrorist.

Por, zyrtarët amerikanë thonë se nuk kanë në plan të ngrenë nivelin e gatishmërisë kundër sulmeve terroriste për shkak të kasetës, e cila u transmetua së pari nga rrjeti televiziv arab, al-Xhazira.

Në mesazh, bin Ladeni thotë sa janë hartuar plane për sulme të tjera në Shtetet e Bashkuara, por ai ofron një armëpushim afatgjatë, siç shprehet ai, nëse forcat amerikane tërhiqen nga Iraku dhe Afganistani.

Shtëpia e Bardhë e hodhi poshtë menjëherë ofertën, duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk zhvillojnë negociata me terroristë.

Në një mesazh në prill të vitit 2004, udhëheqësi i al-Kaidës i ofroi Evropës një armëpushim të ngjashëm, por ai u hodh poshtë. Në mesazhin e djeshëm, bin Ladeni përmend shpërthimet vdekjeprurëse terroriste në kryeqytetet evropiane, të cilat u kryen pavarësisht nga shtimi i ndjeshëm i masave të sigurimit.

Ky është mesazhi i parë i Osama bin Ladenit që nga dhjetori i vitit 2004. Al-Xhazira thotë se kaseta ishte regjistruar këtë muaj.

Mendimi i ekspertëve

Ekpertë të kundër terrorizmit thonë se kërcënimet e bin Ladenit në kasetën e sapo publikuar duhet të merren seriozisht.

Ish-shefi i njësisë së Cias që ndoqi bin Ladenin nga fundi i viteve 1990, thotë se amerikanët duhet të presin një sulm brenda rreth një viti.

Duke shprehur të njëjtën pikëpmaje, ish shefi i Shtëpisë së Bardhë kundër-terrorizmit, Riçard Klark, tha se nuk mendon që bin Ladeni do të fliste për një sulm të pashmangshëm nëse nuk është serioz.

Analistë të tjerë thonë se oferta e bin Ladenit për armëpushim është një përpjekje për t’u paraqitur si diplomat i arsyeshëm, për të tërhequr opinionin botëror dhe për të reklamuar imazhin se al-Kaida është në kontroll.

Ndërkohë, shumë ekspertë vënë në pah kohën e publikimit të kasetës, vetëm pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara vunë në shënjestër zëvendësin e bin Ladenit, Ajman al-Zauahiri. Ai ka qenë fytyra publike e al-Kaidës gjatë 12 muajve të fundit dhe mendohet të ketë shpëtuar nga sulmi në Pakistan. //kk//

XS
SM
MD
LG