Lidhje

Presidenca austriake e BE-së shton optimizmin e Tiranës për integrimin


Presidenca e sapopëruruar e Austrisë në krye të Bashkimit Europian nxiti më tej optimizmin e Tiranës zyrtare për nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim - asociimit me Brukselin.

Qeveria e Tiranës shpreson se marrëdhëniet Shqipëri - BE në gjashtëmujorin e presidencës austriake të përparojnë në një etapë të re, pasi edhe negociatat teknike janë mbyllur.

Ministrja e integrimit, Arenca Troshani, thotë se është një shans i mirë për Shqipërinë fakti që presidenca austriake e BE e shpalli ndër përparësitë e veta Ballkanin Perëndimor. "Megjithatë - thekson ajo - puna në Shqipëri duhet të vazhdojë për zbatimin e reformave dhe standarteve europiane". "Ne duhet të plotësojmë detyrat e shtëpisë: të vazhdojmë me reformat, me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është një fat për ne, që është pikërisht Austria në Presidencën e rradhës në BE, si një nga aleatët më të vjetër dhe më të ngushtë të Shqipërisë. Është koha për shumë punë. Ne na presin sfida të mëdha përpara, sfida të zbatimit të atyre marrëveshjeve që kemi nënshkruar. Prandaj ftoj gjithë faktorët politikë dhe ekonomikë të vendit që të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive me njëri- tjetrin për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve" - thotë zonja Troshani.

Ambasadori Lutz Saltzman, drejtues i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, tha të enjten gjatë një takimi me zyrtarët shqiptarë se analizat e këtij Komisioni tregojnë që përparimi i Shqipërisë ka hapur rrugën për përfundimin e bisedimeve mbi marrëveshjen e stabilizim - asociimit. "Ne shpresojmë që t'i përfundojmë këto bisedime në gjysmën e parë të vitit 2006 gjatë presidencës austriake të Bashkimit Europian. Kjo do të përfshijë një marrëveshje të përkohshme që ka të bëjë me marrëdhëniet tregtare, e cila mund të hyjë në fuqi gjatë gjysmës së parë të këtij viti" - tha ambasadori Saltzman.

Ndërkaq, profesori i Universitetit të Tiranës dhe ekspert i njohur i çështjeve europiane, Ledi Bianku, thotë se Presidenti Barroso i BE ka deklaruar se do të vizitojë vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë muajit shkurt dhe shpresohet që të vijë edhe në Tiranë. Ai theksoi edhe nevojën për një strategji lobimi në Bruksel dhe në Vienë për të nxjerrë më mirë në pah kandidaturën e Shqipërisë. "Me këtë vizitë të Barrosos ne duhet të jemi plotësisht në gjendje që të tregojmë se të gjitha çështjet që çojnë tek nënshkrimi i marrëveshjes janë mbyllur. Kjo vizitë nga pikëpamja diplomatike, do të duhet të jetë një kurorëzim ceremonial i të gjitha negociatave, për të mbetur vetëm aspekti formal i nënshkrimit. Unë gjithashtu mendoj se mund të rriten kontaktet edhe tek Prezenca e Austrisë në Bruksel për ta sjellë çështjen e Shqipërisë në vëmendjen e presidencës austriake. Pse jo, duhet edhe një strategji më e gjerë lobimi: janë të gjitha strategji që përdoren nga të gjitha vendet kandidate, janë përdorur më parë nga vendet që tani janë anëtare për të tërhequr vëmendjen e presidencës së rradhës dhe anëtarëve të BE për kandidimin e vendit përkatës" - thotë zoti Bianku.

Ekspertët dhe vëzhguesit politikë pohojnë se zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut 2005 kapërcyen në një masë të madhe atë pengesë që Shqipërisë i vendosej gjithmonë për përfundimin e këtyre negociatave. Për këtë janë të interesuar edhe komisioneri Oli Rehn, ndërkohë që presidenca austriake e BE shprehu qartë vëmendjen ndaj Ballkanit Perëndimor përmes programit që kancelari Shysel paraqiti përpara Parlamentit Europian. //rd//

XS
SM
MD
LG