Lidhje

Policia turke arrestoi Mehmet Al Agçën, shtetasin që u përpoq të vriste Papa Gjon Palin e Dytë


Policia turke arrestoi Mehmet Al Agçën, shtetasin turk që u përpoq të vriste Papa Gjon Palin e Dytë, pasi një gjykatë apeli vendosi se ai duhet të kthehej në burg.

Gjykata e apelit e mori këtë vendim pas kërkesës së Ministrit turk të Drejtësisë Cemil Cicek, duke përmbysur kështu vendimin e një gjykate të Stambollit në fillim të muajit, e cila dha urdhër për lirimin e 48-vjeçarit Agça, pas një numër amnistish.

Ministri kundërshtoi në veçanti faktin që në vendimin e saj gjykata e kishte llogaritur si pjesë të dënimit me burgim në Turqi edhe periudhën që Agça ishte mbajtur në një burg të Italisë. Autoritetet thonë se Agça nuk i kundërshtoi policët që e arrestuan në Stamboll.

Agça kaloi mbi 19 vjet në një burg italian pasi u përpoq t’i bënte atentat Papës në Sheshin e Shën Pjetrit, derisa u fal në vitin 2000 me kërkesë të Papës. Më pas ai vuajti gjysmën e dënimit me 10 vjet në Turqi, për vrasjen në vitin 1979 të një gazetari turk. //rd//

XS
SM
MD
LG