Lidhje

Kosovë: 15 ditë zie për Presidentin Ibrahim Rugova


Këshilli për ceremonitë mortore për presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova i cili vdiq të shtunën në Prishtinë, njoftoi sonte shpalljen e 15 ditëve zie kombëtare duke filluar që nesër. Këshilli njoftoi gjithashtu se presidenti do të varroset të enjten në Prishtinë ndërsa homazhet do të bëhen duke filluar që nesër në hollin e parlamentit të Kosovës ku do të vendoset trupi i tij.

Autoritetet në Kosovë shpallën sot 15 ditë zie kombëtare për presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, duke filluar që nga dita e nesërme. Trupi i presidentit do të vendoset nesër në orën 9 të mëngjesit në hollin e parlamentit të Kosovës për homazhe ndërsa homazhet e fundit do t’i bëhen të enjten në sallën 1 tetori në Prishtinë, para se të dërgohet për të pushuar në banesën e fundit po këtë ditë në mesditë.

Kryetari i parlamentit Nexhat Daci, njoftoi sot vendimet e fundit të këshillit për ceremonitë mortore, dhe theksoi se gjithë organizimi do të drejtohet nga autoritetet vendore. Qytetarë të zakonshëm dhe të afërm e bashkëpunëtorë të presidentit të ndjerë, kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen Rugova, duke u shprehur se humbja e zotit Rugova nuk ishte vetëm humbje e një njeriu të dashur, por humbja e një burrë shteti që u kthye në mit në një kohë mjaft delikate për Kosovën.

Për pjesën më të madhe të qytetarëve, presidenti Rugova shihej si njeri i afrimit dhe bashkimit. Edhe kundërshtarët e tij politikë në këto ditë zie, u shprehën se vdekja e tij në një moment të tillë të vendim-marrjes politike për statusin e ardhshëm të Kosovës, është një moment i rëndë.

Në Prishtinë dhe në qytetet e tjera të Kosovës, edhe sonte vazhdojnë të ndizen qirinj në sheshe dhe shtëpi, në nderim të figurës së zotit Rugova. Sot është formuar në Prishtinë një grup ekzekutiv, i përbërë nga politikanë vendorë dhe zyrtarë ndërkombëtarë, që do të përcaktojë ceremonitë mortore dhe do të kujdeset për delegacionet e huaja që do të marrin pjesë në varrim.

Grupi përbëhet nga kryetari i parlamentit Nexhat Daci, shefi i administratës ndërkombëtare Soren Jessen-Petersen, komandanti i KFOR-it Giuseppe Valotto, si dhe Fatmir Sejdiu, Adem Salihaj, Kolë Berisha, Alush Gashi, Sali Cacaj dhe Xhavit Haliti.

Roja e nderit dhe nderimet ceremoniale pritet të bëhen nga Garda Ceremoniale e Trupave të Mbrojtjes të Kosovës. Në Kosovë, flamujt janë në gjysmë shtizë, ndërsa media elektronike transmeton muzikë funebre.

Parlamenti i Kosovës mbajti sot një minut heshtje për presidentin Ibrahim Rugova. Në një mbledhje përkujtimore të parlamentit, udhëheqësit më të lartë vendas dhe ndërkombëtarë theksuan atë që zoti Rugova përfaqësonte për Kosovën. Kryetari i parlamentit Nexhat Daci vlerësoi filozofinë paqësore të presidentit Rugova.

Kryeministri Bajram Kosumi e cilësoi presidentin, njeri të pavarësisë ndërsa kryeadministratori ndërkombëtar Jessen Petersen vlerësoi se Kosova ka humbur një udhëheqës të madh. Ndërsa përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Prishtinë, theksuan shpresën se Kosova do të vazhdojë punën e presidentit Rugova dhe se udhëheqësit politikë do të qëndrojnë të bashkuar në periudhën që pason për t'u përballur me sfidat që vijnë.

Ndërkohë që bëhet organizimi i ceremonive të homazheve dhe varrimit të presidentit të ndjerë, klasa politike në Kosovë po përpiqet të tregojë se është e bashkuar, por pa bërë komente politike për të ardhmen në këto ditë zie.

Shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Jessen Petersen, ishte i po këtij mendimi sot, duke theksuar se këto ditë mbahet zi dhe organizohen ceremonitë e fundit për presidentin e ndjerë.

“Presidenti Rugova ka luajtur një rol kyç, por ai ka shtruar një vizion, ka dhënë udhëzime shumë shumë të qarta, të gjithë e dinë në cilën rrugë do të donte ai të shkonte, keni dëgjuar deklarata uniteti, që dje, do të vazhdojmë t’i dëgjojmë. Nuk do të shqetësohesha për këtë, tani po mbajmë zi, po i bëjmë nderet, po punojmë së bashku për të organizuar një ngjarje dinjitoze të cilën presidenti Rugova vërtetë e meritonte”, tha ai.

Zoti Petersen, tha se me unitet, të gjithë së bashku do të punojnë për ta bërë realitet ëndrrën e presidentit Rugova për të parë pavarësinë e Kosovës.

Në Kosovë, intelektualët kanë vlerësuar figurën e presidentit Rugova si një njeri që i dha vlera të vecanta Kosovës. Akademik Mark Krasniqi dhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Rexhep Ismajli, theksuan veçanërisht humanizmin e dr.Rugovës dhe lidershipin e tij në Kosovë edhe në kohë shumë të vështira.

XS
SM
MD
LG