Lidhje

Engel: Jeta e Dr. Rugovës duhet të shërbejë si frymëzim për realizimin e pavarësisë së Kosovës


Ligjvënësi amerikan Eliot Engel i tha Zërit të Amerikës se në Kosovë ka shumë politikanë të aftë dhe të zgjuar që do të jenë në gjendje të mbushin boshllëkun e krijuar nga vdekja e Dr. Ibrahim Rugovës. Zoti Engel ka qenë mik i ngushtë i Presidentit Rugova dhe është mbështetës i pavarësisë për Kosovën.

Intervistoi Ilir Ikonomi

Zëri i Amerikës: Tani pas vdekjes së Presidentit Rugova po flitet shumë për ndikimin që mund të ketë kjo në të gjithë procesin e përcaktimit të statusit. Cili është komenti juaj?

Eliot Engel: Doktor Rugova ishte një njeri i shquar, ishte miku im dhe unë ndjehem mjaft i trishtuar për humbjen e tij. Por mendoj se ai do të dëshironte që ne ta vazhdojmë luftën për pavarësinë e Kosovës. Mendoj se ne duhet ta përdorim jetën e tij si një frymëzim dhe të shumëfishojmë përpjekjet për të punuar së bashku në mënyrë që liria dhe pavarësia e Kosovës të bëhet realitet. Pra do të shpresoja që vdekja e tij, në vend që ta ngadalësonte ecjen tonë drejt këtij objektivi, do të na japë shtytjen për të ecur përpara. Mendoj se të gjitha fraksionet politike në Kosovë duhet të bashkohen dhe ta mbajnë syrin në objektivin kryesor, që është pavarësia për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, nuk ka plane se kush do ta zëvendësojë Rugovën në krye të grupit negociator, nuk ka një pasues të qartë të tij qoftë si president apo si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sa shqetësuese është kjo për ju?

Eliot Engel: Historia ka treguar vazhdimisht se në kohë krizash, njerëzit dinë t’u përgjigjen situatave. Në Kosovë ka shumë politikanë të aftë dhe të zgjuar që do të jenë në gjendje të mbushin boshllëkun e krijuar nga vdekja e Dr. Rugovës. Besoj se ata do të dinë të këshillohen me njëri-tjetrin dhe të gjejnë rrugën më të mirë për ta bërë këtë kalim sa më të butë që të jetë e mundur. Në fakt nuk ka rrugë tjetër dhe ky është një çast shumë i rëndësishëm sepse e gjithë bota tani i ka sytë te Kosova. Nëse bota shikon se udhëheqësit e zgjedhur të Kosovës bashkohen dhe gjejnë rrugën që gjërat të shkojnë mirë, atëhere kjo do t’i tregonte botës se populli i Kosovës është i përgatitur për të qeverisur veten e tij në një vend të lirë dhe të pavarur. Por nëse situata rrëshqet në kaos dhe politikanët fillojnë të grinden me njëri-tjetrin, atëhere kjo do t’i dërgonte botës sinjalin e gabuar, pra se populli i Kosovës nuk është i gatshëm të marrë në dorë frenat e udhëheqjes së tij.

Zëri i Amerikës: Ju jeni ndoshta ligjvënësi që është takuar më shpesh me Dr. Rugovën se askush tjetër. Cila mendoni se është trashëgimia që ai lë për udhëheqësit e tjerë të Ballkanit dhe ndoshta për udhëheqësit e tjerë në përgjithësi?

Eliot Engel: Së pari, ai ishte një njeri mjaft i butë, një figurë që i bashkonte njerëzit. Ai simbolizonte ëndrrën e pavarësisë së Kosovës dhe mendoj se njerëzit në Kosovë ia dinë këtë meritë. Për këtë arësye, sa herë që kandidonte në zgjedhje ai gjithnjë dilte me sukses. E përsëris se në Kosovë ka edhe njerëz të tjerë të aftë dhe të zgjuar që do të jenë të aftë ta mbushim këtë boshllëk. Unë do ta kujtoj gjithnjë Dr. Rugovën si një njeri që fliste pa bujë por që fliste në emër të popullit të Kosovës. Herë pas here ai do të kalonte kohë shumë të vështira, me shtypjen serbe dhe me Millosheviçin, por ai ai dilte nga kjo si një simbol bashkimi për arritjen e pavarësisë së Kosovës. Mendoj se në shumë raste ai do të kujtohet si babai i Kosovës moderne dhe kur ajo të fitojë pavarësinë, Dr. Rugova do të ketë një vend të posaçëm në zemrat e të gjithëve.

Zëri i Amerikës: Duke folur për këto kohë të vështira, nga fundi i viteve 90, pozita e tij u dobësua shumë me daljen në skenë të UÇK-së, por ai arriti të rikthehet në politikë dhe me shumë sukses. Si e shpjegoni ju këtë?

Eliot Engel: Siç e dini, ai nuk ishte njeri i bujshëm, nuk fliste me zë të lartë, nuk ishte dinamik, por fliste pak, por në këtë mënyrë të tijën të pabujshme ai ishte shumë i efektshëm. Ajo që ai simbolizonte për popullin e Kosovës ishte stabiliteti, fakti që ai ishte atje i bënte njerëzit të ndjeheshin të qetë dhe kjo është shumë kuptimplotë. Në çdo demokraci, qoftë në Kosovë apo në Shtetet e Bashkuara, gjithnjë do të ketë mendime të ndryshme. Është e vërtetë që ekzistojnë ndryshime në mendime midis zyrtarëve të zgjedhur dhe politikanëve në Kosovë. Por ajo gjë për të cilën të gjithë janë dakord në Kosovë është se e ardhmja e saj e vetme është pavarësia dhe të gjithë janë dakord me këtë, pavarësisht nëse e mbështesnin apo jo Dr. Rugovën. Para disa kohësh, kur fola në parlamentin e tyre, unë thashë se Dr. Rugova ishte Xhorxh Uashingtoni i Kosovës sepse ashtu si Uashingtoni ishte presidenti i parë i Amerikës ashtu edhe Dr. Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës. Mendoj se ai ishte një forcë bashkuese prandaj edhe mundi të rikthehej në politikë.

Zëri i Amerikës: Vdekja e Dr. Rugovës ndodh në një moment shumë delikat për Kosovën, kur pritet të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar. Cila mendoni se është pengesa më e madhe për këto bisedime?

Eliot Engel: Mendoj se sa herë që vdes dikush, ky nuk është kurrë një moment i dëshiruar. Por ky i tanishmi është natyrisht një moment shumë delikat. Rreth një muaj më parë isha në Gjenevë, në Belgjikë dhe në Britani, ku u takova me shumë udhëheqës të Bashkimit Evropian. U takova me zotin Kai Eide dhe me të tjerë dhe kudo fola për pavarësinë e Kosovës. Një e papritur e këndëshme në të cilën hasa ishte fakti që shumica e tyre ishin dakord me mua. Pra të gjithë e kuptojnë se nuk ka të ardhme tjetër për Kosovën përveç pavarësisë. Ky është një hap i madh përpara sepse para 10 vjetësh, kur unë flisja për pavarësinë, jo shumë njerëz ishin dakord. Prandaj mendoj se duhet që udhëheqësit e Kosovës t’i tregojnë botës se Kosova është një demokraci e gjallë dhe se në Kosovën e ardhëshme do të ketë garanci për të drejtat e të gjithëve. Atje duhet të garantohen të drejtat e të gjitha pakicave, duke përfshirë serbët dhe këto duhet të shpallen botërisht nga zyrtarët shqiptarë të zgjedhur. Nëqoftëse bota e shikon se udhëheqësit e Kosovës janë të gatshëm ta çojnë përpara demokracinë, përfshirë demokracinë për pakicat ashtu si edhe për shumicën, atëhere mendoj se bota do të ndjehet shumë më e qetë në hapat e saj lidhur me pavarësinë për Kosovën. Do të desha t’i shprehja ngushëllimet e mija popullit të Kosovës dhe jam i sigurt se ata do ta kapërcejnë këtë humbje ashtu si edhe në të kaluarën. Kosovarët kanë kaluar në vështirësi të shumta, siç ishin ato në vitin 1999, kur shtëpitë e tyre digjeshin apo siç ishte shtypja për vite me radhë. Megjithatë ata i përballuan këto me sukses dhe kështu do të ndodhë edhe kësaj here.//ad//

XS
SM
MD
LG