Lidhje

Filips: Vdekja e Presidentit Rugova duhet të pasohet nga angazhimi në objektivin e përbashkët - pavarësinë


Dejvid Filips, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Eli Vizel për Njerëzimin, i themeluar nga laureati i Çmimit Nobel, shkrimtari Eli Vizel, e ka njohur nga afër Presidentin Rugova. Zoti Filips shprehu besimin se udhëheqësit e shqiptarëve do të vazhdojnë punën në rrugën që ndoqi zoti Rugova, për të bërë realitet pavarësinë e Kosovës. Analisti i bëri këto komente në një intervistë për Zërin e Amerikës, ku paralajmëroi gjithashtu që të mos ketë zvarritje në procesin e negociatave për të shmangur një radikalizim të mundshëm të klimës politike në Kosovë:

Presidenti Rugova, thotë analisti Filips, ia kushtoi jetën e tij pavarësisë së Kosovës, dhe është për të ardhur keq që ai nuk arriti të shohë përmbushjen e ëndrrës së tij tani që ajo është kaq pranë realizimit: "E kam njohur Dr. Rugovën për thuajse 20 vjet. U takova me të para pak muajsh në Prishtinë. Ai tha hapur se e dinte që do të vdiste, por shprehu vendosmërinë për të parë përmbushjen e suksesshme të negociatave. Është një realitet tragjik që të kujton Moisiun në Bibël, i cili për 40 vjet u end në shkretëtirë, por nuk u lejua të futet në tokën e shenjtë. Lëvizja për pavarësi në Kosovë është udhëhequr nga Dr. Rugova, por tani që po fillojnë negociatat ai nuk do të jetë në tryezën e bisedimeve. Është e rëndësishme që trashëgimia e tij të çohet përpara."

Analisti u bën thirrje udhëheqësve të Kosovës të vazhdojnë me të njëjtën këmbëngulje si Dr. Rugova përpjekjet për pavarësi. Ai shpreh besimin se Kosova ka udhëheqës që do të jenë në gjendje të punojnë për të mirën e Kosovës, duke lënë mënjanë ambicjet personale për pushtet: "Pa dyshim që vdekja e tij do të krijojë një vakum politik. Ai ishte një figurë shumë e madhe në skenën politike. Por unë i njoh udhëheqësit politikë në Kosovë dhe mendoj se secili prej tyre është i vendosur për realizimin e objektivës kryesore duke lënë mënjanë ambicjet personale. Ata duhet të angazhohen për të marrë përsipër rolin udhëheqës, por duhet ta kenë të qartë gjithashtu rëndësinë e bashkërendimit të qëndrimit të tyre dhe kam besim se do t’ia arrijnë kësaj."

Megjithë largimin nga skena të Presidentit Rugova, thekson zoti Filips, negociatat për status duhet të vazhdojnë pa vonesë, për të mos lejuar një radikalizim të klimës politike në Kosovë: "Ekziston një prirje për radikalizim, por nëse politika radikalizohet, shkaku nuk do të jetë vdekja e Dr. Rugovës, por mungesa e përparimit në negociata. Nëse negociatat fillojnë në shkurt, dhe nëse zoti Ahtisaari tregon përpjekje të vendosur për të arritur një marrëveshje, nuk mendoj se do të ketë radikalizim."

Trashëgimia e Dr. Rugovës, përfundon Dejvid Filips i Fondacionit Eli Vizel, është qëndrimi i moderuar dhe udhëheqja e vendosur dhe mendoj se udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës do të ndjekin po këtë rrugë. //ad//

XS
SM
MD
LG