Zyrtarët palestinezë të zgjedhjeve po numërojnë votat pas zgjedhjeve të sotme parlamentare, të cilat mund të sjellin në qeveri grupin ekstremist islamik, Hamas.
Anketat e marra me zgjedhës pasi kishin hedhur votat tregojnë se Fatahu mund të marrë më shumë se 40 për qind, ndërsa grupi Hamas mbi 30 për qind të votave. Zyrtarët e zgjedhjeve thonë se 77 për qind e mbi 1 milion palestinezëve me të drejtë vote hodhën sot votat për Këshillin Legjislativ Palestinez me 132 vende.
Palestinezët votuan për 12 orë nën masa të rrepta sigurie në Rripin e Gazës, pjesët e pushtuara të Bregut Perëndimor dhe Jeruzalemin lindor në zgjedhjet e tyre të para parlamentare në një dekadë.
Izraeli nuk ka bërë ndonjë koment publik lidhur me qëndrimin e tij nëse Hamasi del me një prani të ndjeshme në qeverinë palestineze.
Shtëpia e Bardhë i cilësoi zgjedhjet si një ditë e shënuar për palestinezët, por shtoi se Shtetet e Bashkuara i përmbahen qëndrimit të tyre se Hamasi është organizatë terroriste.