Lidhje

Presidenti Bush thotë se Hamasi duhet të heqë dorë nga platforma për shkatërrimin e Izraelit


Presidenti Bush thotë se grupi ekstremist islamik Hamas duhet të heqë dorë nga platforma e tij ku bëhet thirrje për shkatërrimin e Izraelit, nëse do që të bëhet një partner i paqes.

Në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Bush theksoi se nuk beson që Hamasi mund të jetë pjesë e procesit të paqes, përsa kohë që të ketë një krah të armatosur.

Ai e quajti fitoren e Hamasit në zgjedhjet palestineze një sinjal që i dërgohet udhëheqjes palestineze mbi nevojën për reformim. Por ai shtoi se shpreson që udhëheqësi palestinez Mahmoud Abbas të mbetet në pushtet.

Kryeministri në detyrë i Izraelit, Ehud Olmert ka thënë se Izraeli nuk do të bashkëpunujë me një qeveri të drejtuar nga Hamasi. Ministrja e jashtme izraelite Tzipi Livni i kërkoi Bashkimit Evropian të mbajë një qëndrim të ashpër kundër Hamasit, duke e quajtur atë një qeveri terroriste.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan thotë se çdo organizatë që merr pjesë në një proces demokratik duhet të çarmatoset.

XS
SM
MD
LG