Lidhje

Anketat tregojnë paraqitje të mirë të lëvizjes Hamas në zgjedhjet parlamentare palestineze


Anketat e opinionit tregojnë se lëvizja ekstremiste Hamas është paraqitur shumë mirë në zgjedhjet e djeshme parlamentare palestineze.

Sipas tre sondazheve të organizuara në qendrat e votimit, Partia Fatah kryeson, por me një rezultat të ngushtë vetëm prej 3 deri në 7 për qind.

Rezultatet paraprake pritet të bëhen të ditura sot. Hamasi ka marrë përgjegjësinë për një numër të madh sulmesh vetëvrasëse kundër Izraelit gjatë viteve të fundit, duke bërë që Izraeli si edhe Shtetet e Bashkuara ta cilësojnë atë si organizatë terroriste.

Të dhënat se Hamasi do të sigurojë një prani të fortë në Këshillin Legjislativ Palestinez prej 112 vendesh ngrenë mundësinë se ai mund të mbajë poste qeveritare për herë të parë. Izraeli nuk ka thënë publikisht se çfarë do të bëjë nëse Hamasi siguron poste në Autoritetin Palestinez.

Presidenti Bush i tha dje gazetës Wall Street Journal se ai nuk do të punojë me Hamasin derisa ai grup të heqë dorë nga përpjekjet për të shkatërruar shtetin hebre.

XS
SM
MD
LG