Lidhje

Kryenegociatori iranian për çështjen bërthamore, Ali Larixhani, takohet me zyrtarë kinezë në Pekin


Kryenegociatori iranian për çështjen bërthamore, Ali Larixhani, u takua sot me zyrtarë kinezë në Pekin, para fillimit të seancës së Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike javën e ardhshme.

Zyrtarët e kësaj agjencie pritet ta shfrytëzojnë seancën e dytë të shkurtit për të diskutuar rreth propozimit për paraqitjen e çështjes së Iranit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nën akuzat se me programin e tij bërthamor ka shkelur një traktat kyç bërthamor.

Qeveritë perëndimore akuzojnë Teheranin se po përpiqet të prodhojë fshehurazi një bombë atomike. Kurse Irani thotë se kërkimet bërthamore kanë për synim vetëm prodhimin e energjisë.

Ndërkohë, ministrat e jashtëm të Britanisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Kinës do t’i bashkohen sekretares amerikane të shtetit, Kondoliza Rajs, në Londër ditën e hënë për të diskutuar një strategji të përbashkët për trajtimin e çështjes bërthamore.

Takimi i pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermanisë do të jetë rasti i fundit për fuqitë e mëdha për të dalë me një qëndrim para takimit urgjent të bordit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

XS
SM
MD
LG