Lidhje

Grupi Hamas fiton zgjedhjet palestineze


Komisioni palestinez i zgjedhjeve thotë se grupi ekstremist islamik Hamas fitoi 76 nga 132 vendet e parlamentit palestinez. Partia Fatah fitoi 43 vende në zgjedhjet e djeshme, në të cilat votuan mbi 77 për qind e banorëve me të drejtë vote.

Zyrtarët e Hamasit thonë se ata duan të fillojnë menjëherë bisedimet me udhëheqësit e lëvizjes Fatah dhe politikanë të tjerë për formën që do të marrë qeveria e re.

Zyrtarët presin që Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas t’i kërkojë së shpejti Hamasit të formojë një qeveri. Kryeministri palestinez Ahmed Qureia dhe kabineti i tij dhanë sot dorëheqjen.

Përkrahësit e Hamasit vërshuan në parlamentin palestinez në Ramallah dhe vendosën flamurin e këtij grupi mbi godinë. Hamasi ka kryer sulme vetëvrasëse kundër Izraelitëve dhe konsiderohet organizatë terroriste nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. Administrata e Presidentit Bush i ka bërë thirrje Hamasit që të çarmatoset dhe t’i japë fund fushatës për shkatërrimin e shtetit hebraik. //rd//

XS
SM
MD
LG