Lidhje

Hamasi i gatshëm të bashkojë të gjitha fraksionet e armatosura në një ushtri palestineze


Udhëheqësi i Hamasit, Khadel Meshaal, thotë se organizata e tij ekstremiste palestineze, e cila erdhi në pushtet pas fitores në zgjedhjet parlamentare, është e gatshme t’i bashkojë të gjitha fraksionet e armatosura në një ushtri për të mbrojtur territoret palestineze.

Zoti Meshaal e bëri këtë deklaratë dje në Siri, ndërkohë që mijëra veprimtarë të lëvizjesz Fatah dhe forca policore protestuan në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës për të dytën ditë me radhë.

Protestuesit kërkonin dorëheqjen e udhëheqësve të lëvizjes Fatah dhe paralajmëruan kundër vënies së forcave palestineze të sigurimit nën kontrollin e Hamasit.

Trazirat kanë ngjallur shqetësimet për mundësinë e shpërthimit të një krize të brendshme palestineze, ndërkohë që Hamasi përpiqet të formojë qeverinë dhe të kontrollojë një aparat të kabashëm sigurimi që mbizotërohet nga besnikë të Fatahut.

Ndërkohë, zyrtarë të zgjedhjeve thonë se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve tregon se Hamasi ka siguruar 74 nga 132 vendet e Këshillit Legjislativ Palestinez, i pasuar nga Fatahu me 45 vende. Rezultatet përfundimtare i japin Hamasit dy vende më pak dhe Fatahut dy vende më shumë sesa ishte njoftuar në bazë të rezultateve paraprake të kësaj jave. (xh)

XS
SM
MD
LG