Lidhje

Xhek Stro: Irani duhet të japë garanci se nuk kërkon të prodhojë armë bërthamore


Sekretari i jashtëm i Britanisë, Xhek Stro, thotë se problemi lidhur me programin bërthamor të Iranit është krijuar nga vetë Teherani. Zoti Stro i bëri thirrje Iranit të japë garanci pozitive se aftësitë e tij bërthamore janë thjeshtë për qëllime paqesore.

Kryediplomati britanik i bëri këto komente ndërkohë që përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Gjermanisë, Francës si edhe të Bashkimit Evropian po përgatiten për një takim nesër në Londër për të diskutuar nëse çështja e Iranit t’i paraqitet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për mundësinë e vendosjes së sanksioneve.

Evropianët thonë se mosmarrëveshja duhet të zgjidhet përmes diplomacisë, por Shtetet e Bashkuara thonë se alternativa ushtarake duhet të mbahet në tryezë si mjet i fundit.

Teherani tha dje se kishte rënë dakord me Moskën për të rritur numrin e vendeve që do të merrnin pjesë në një plan, sipas të cilit Irani do ta vazhdojë në Rusi veprimtarinë delikate të kërkimit për pasurimin e uraniumit. Nga fillimi i javës, Presidenti Bush e cilësoi këtë plan si të mirë, por zyrtarë të tjerë nuk janë të sigurt nëse Irani do t’i përmbahet këtij propozimi.(xh)

XS
SM
MD
LG