Lidhje

Në prag të fjalimit mbi gjendjen e vendit, Presidenti Bush përballet me kritikat e demokratëve


Ndërkohë që afrohet fjalimi vjetor mbi gjendjen e vendit, presidenti Bush përballet me kritika nga demokratët e opozitës në lidhje me çështje si programi i përgjimit brenda vendit në kuadër të luftës kundër terrorizmit. Në të njëjtën kohë po njoftohen shifra pozitive për ekonominë amerikane dhe presidenti Bush thotë se do t’i bëjë thirrje Kongresit të veprojë lidhur me çështjet e rëndësishme të planit të tij të brendshëm.

Në fjalimin e tij të fundit mbi gjendjen e vendit, presidenti Bush ishte ende nën euforinë e fitores së zgjedhjeve të vitit 2004, ndaj demokratit Xhon Kerri, e cila i siguroi një mandat tjetër 4 vjeçar në Shtëpinë e Bardhë. Ai u betua se do ta shfrytëzojë kapitalin politik për të realizuar planin e tij të brendëshëm në Kongresin e kontrolluar nga republikanët.

Megjithatë, objektivi i tij më ambicioz, reforma në sistemin e pensioneve, nuk bëri ndonjë përparim, pasi u përball me kundërshtime nga demokratët si edhe edhe nga vetë Partia e tij Republikane.

Administrata pati disa arritje legjislative gjatë vitit 2005, ndërkohë që u desh t’u bënte ballë skandaleve dhe hetimeve. Këtu përfshihet çështja e dekonspirimit në kuadrin e Cia-s, ku u akuzua këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Luis Libi dhe një hetim federal në vazhdim mbi korrupsionin, që ka në shënjestër lobistin Xhak Abramof dhe disa anëtarë të Kongresit.

Presidenti Bush do të theksojë ndoshta suksesin e zgjedhjeve në Irak dhe përparimi e bërë në Afganistan. Por, ligjvënësit kanë mendime të ndryshme lidhur me strategjitë amerikane në Irak dhe luftën kundër terrorizmit.

Në një takim me gazetarët, Presidenti Bush përmendi disa nga temat që do të trajtojë në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit, përfshirë sistemin e kujdesit shëndetsor, uljen e taksave, energjinë, luftën kundër terrorizmit dhe sigurinë kombëtare. Ai u bëri thirrje demokratëve për bashkëpunim.

“E kuptoj se ky është një vit zgjedhjesh, tha presidenti Bush, por besoj se në qoftë se lemë mënjanë përkatësitë partiake, mund të punojmë së bashku për të arritur rezultate.”

Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Bill Frist, mbështet thirrjen e Presidentit Bush për të bashkëpunuar me demokratët.

Por disa demokratë nuk besojnë se ka shumë terren të përshtatshëm për bashkëpunim. Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Herri Riid, ngarkon me faj presidentin për çdo gjë, që nga lufta kundër terrorizmit e deri tek ekonomia.

Këshilltari më i lartë politik i Shtëpisë së Bardhë, Karl Rov, foli gjithashtu mbi qëllimet e administratës dhe ndarjet midis demokratëve dhe republikanëve.

“Kemi të bëjmë me dy parti që kanë parime krejtësisht të ndryshme lidhur me problemet botërore dhe të sigurisë kombëtare. Republikanët e bazojnë mendimin tek bota e pas-sulmave të 11 shtatorit, ndërsa demokratët kanë imazhin e botës përpara sulmeve të 11 shtatorit. Kjo nuk i bën ata më pak patriotë, por dëshmon se demokratët janë gabim”, tha zoti Rove.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Denis Hastert, thotë plani republikan për vitin 2006 përfshin probleme të rëndësishme si përtëritja e Aktit Patriot dhe reforma mbi imigracionin.

Presidenti Bush ka mbrojtur disa herë miratimin nga ana e tij të programit të përgjimit të brendshëm, për të cilin demokratët thonë se presidenti mund të ketë shkalur ligjin që kërkon miratimin e gjykatës për veprimtari përgjuese. Ky program do të jetë tema e seancave të Senatit në fillim të muajit të ardhëshëm.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, perspektivat për planet e Presidentit Bush varen nga efektshmëria e udhëheqjes së re republikane në këtë Dhomë, pas zgjedhjeve për të zëvendësuar Ligjvënësin republikan Tom Dilei, i cili dha dorëheqjen vitin e kaluar pas akuzave penale të ngritura kundër tij në shtetin e Teksasit.

XS
SM
MD
LG