Lidhje

Intervistë me Fatmir Sejdiun, sekretar i përgjithshëm i LDK


Fatmir Sejdiu, aktualisht sekretar i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kryesisë së parlamentit, është kandidati për president, i cili duhet të pasojë në këtë post presidentin Ibrahim Rugova, i cili vdiq më 21 janar në Prishtinë. Në një intervistë për Zerin e Amerikës, zoti Sejdiu pohon se presidenti i ardhshëm duhet të kryesojë edhe grupin negociator për bisedimet për statusin e Kosovës.

Zeri i Amerikës: Profesor Sejdiu, ju tashmë jeni kandidati zyrtar i Lidhjes Demokratike për president të Kosovës. Çfarë do të thotë kjo për ju....?

Fatmir Sejdiu: Paraprakisht mund të them se është biseduar në nivel të partisë dhe kjo do të komunikohet në aspektin zyrtar në një kohë të përshtatshme, siç ishte edhe qëndrimi i djeshëm. Për mua është një nder i veçantë që të marr këtë pozicion kaq të rëndësishëm në shoqërinë kosovare dhe natyrisht është një barrë shumë e madhe, duke patur parasyshë vakumin e madh dhe boshllëkun e madh të krijuar pas vdekjes së Presidentit Rugova, i cili për mua është i pazëvendësueshëm dhe kështu mendojnë të gjithë ata që i kanë shprehur nderime popullit të Kosovës, por edhe miq të tjerë ndërkombëtarë. Natyrisht që gjendemi në një situatë jashtëzakonisht delikate dhe nevojitet një punë tepër e angazhuar e të gjitha formacioneve, them në radhë të parë të institucioneve të Kosovës por edhe të subjekteve politike që ato t’i ndërtojnë proceset edhe më tej. Natyrisht që kjo ecje e proceseve duhet të jetë në një bashkëpunim të ndërsjellë dhe mjaft kualetativ me bashkësinë ndërkombëtare, dhe veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Zeri i Amerikës: Zgjedhja e presidentit të Kosovës kërkon të paktën 61 vota në parlament. A do të mund t’i siguroni ju votat minimale në parlament ?

Fatmir Sejdiu: Supozoj që do të jetë një kandidaturë normale sikurse të kishte kandidatuar ndokush tjetër. E rëndësishme për ne është që të dërgojmë kandidaturën para deputetëve. Janë ata që do të vendosin dhe besoj se do të jetë një mbështetje normale dhe reale e të gjithëve. Për mua është e rëndësishme që të fitojë verdikti i deputetëve. Dhe unë besoj se ajo do të jetë një votë e cila realisht do të jetë shumë e përgjegjshme e secilit prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pavarësisht pozitën apo opozitën. Dhe po ashtu mendoj se personi që do të zgjidhet e ka për borxh real që të jetë faktor vërtet i rëndësishëm i unitetit i të gjithë asaj energjie që lufton për Kosovën edhe në këtë fazë kaq të rëndësishme që gjendemi. Me këtë duhet të çojmë përpara një mision të rëndësishëm që kemi marrë para vetes dhe që është në mandatin themelor, mandati për pavarësinë e Kosovës apo për bërjen e shtetit të Kosovës.

Zeri i Amerikës: A do të mbetet formula që ka qënë që presidenti kryson edhe grupin negociator ?

Fatmir Sejdiu: Po, besoj se është formulë mëse normale dhe e drejtë.

Zeri i Amerikës: Nëse ju bëheni president i Kosovës, cili do të ishte imazhi i institucionit të presidentit. ?

Fatmir Sejdiu: Do të bëhet përpjekje e jashtëzakonshme që të jetë në mision të funksionit që ka, natyrisht duke patur parasyshë një rol të të veçantë sepse është pozicion i ndarë në kuadrin e pushtetve ekzekutive dhe në këtë kuptim, natyrisht të jetë një institucion që do të vazhdojë me ofertën e vet të bashkëpunimit me të gjithë faktorët brenda në vend dhe natyrisht me kujdes të veçantë të ngjeshjes së bashëpunimit me faktorin ndërkombëtar duke patur parasyshë edhe atë që thashë më herët dhe që ka qenë thirrje edhe qëndrim i përhershëm i Presidentit Rugova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian. Natyrisht që me këtë ne do të ndërtojmë në vazhdimësi vizionin tonë për ardhmërinë e Kosovës, për pavarësinë dhe ndërtimin e një shteti ligjor të qytetarëve të barabartë dhe natyrisht me këtë po ashtu edhe të bëjmë të sigurtë që qytetarët e Kosovës të gëzojnë jetë edhe më të qetë edhe më të rehatshme në kuptimin e plotësimit të vizionit, të themi edhe të përpjekjeve të tyre dhe për standardet jetësore. Siç e dini në këtë proces po ashtu kemi edhe një varg detyrash që janë të emërtuara si standarde ndërkombëtare për Kosovën, për të cilat dikush mendon se janë pengesa për të ngadalësuar proceset. Unë mendoj se ajo që kanë shpreh institucionet e Kosovës dhe personalisht mendoj se, këto janë pjesë e një barre normale për një jetë më të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës. Këtë pra duhet të përpiqemi ta bëjmë, natyrisht në bashkëpunim me të gjitha institucionet.

XS
SM
MD
LG