Lidhje

Grupi i Kontaktit: Bisedimet për statusin e Kosovës të përfundojnë brenda vitit 2006


Ministrat e jashtëm të Grupit të Kontaktit thanë dje se bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës duhet të përfundojnë brenda këtij viti. Të mbledhur dje në Londër, ministrat i kujtuan Beogradit se zgjidhja që do të arrihet duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës dhe ritheksuan parimet bazë që do të përfshinte një zgjidhje e tillë.

Në deklaratën e tyre, ministrat e Grupit të Kontaktit thanë se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet e mundëshme që statusi përfundimtar i Kosovës të zgjidhet brenda vitit 2006.

Ata i bënë thirrje Beogradit dhe Prishtinës të punojnë në mënyrë konstruktive me të dërguarin e posaçëm të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari për t’u gjetur zgjidhje realiste çështjeve të shumta dhe të vështira që duhen përballuar. Ndër këto çështje, deklarata e Grupit të Kontaktit përmend lirinë e lëvizjes, lidhjet trasparente dhe konstruktive midis komuniteteve lokale në Serbi dhe në Kosovë, mekanizmat për sqarimin e fatit të personave të zhdukur si dhe një paketë konkrete masash për mbrojtjen e komuniteteve dhe të objekteve fetare.

Pjesë e një marrëveshjeje, thuhet në deklaratën e Grupit të Kontaktit, duhet të jenë masat për marrëdhënie të mira ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës si dhe brenda rajonit.

Ministrat i kujtuan ndërkohë Beogradit se zgjidhja e statusit duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës. Politikat katastrofike të së kaluarës, thuhet në deklaratë, janë në thelbin e problemeve të sotme. Sot, vazhdon deklarata, udhëheqësit e Beogradit mbajnë përgjegjësi të rëndësishme për atë që do të ndodhë tani dhe në të ardhmen.

Ministrat theksojnë në deklaratë se hartimi i dispozitave të efektëshme për decentralizimin e qeverisjes në Kosovë do të jetë me rëndësi kritike për zgjidhjen e statusit. Decentralizimi do të bënte të mundur, thotë deklarata, që komunitetet pakicë të mbeten pjesë jetike e së ardhmes së Kosovës dhe që t’i jepet një shtytje kthimit të personave të zhvendosur, të cilët duhet të jenë të aftë të zgjedhin se ku dëshirojnë të jetojnë në Kosovë.

Ministrat ndërkohë u bënë thirrje serbëve dhe pakicave të tjera që të shfrytëzojnë procesin për zgjidhjen e statusit për të bërë të mundur që shqetësimet e tyre të merren parasysh plotësisht.

Ministrat e Grupit të Kontaktit ritheksuan parimet e përcaktuara në nëntor të vitit të kaluar sipas të cilave nuk do të ketë kthim në gjendjen e para vitit 1999, nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe nuk do të ketë bashkim të saj me pjesë të ndonjë vendi tjetër.

Ata ritheksuan gjithashtu gatishmërinë e komunitetit ndërkombëtar për të krijuar përkohësisht pas zgjidhjes së statusit, strukturat e përshtatëshme civile dhe ushtarake ndërkombëtare që do të ndihmonin në zbatimin e dispozitave të statusit. Punët e përditëshme të qeverisjes – të cilat duhet të kryhen mbi një bazë shumëetnike - thuhet në deklaratë, do të jenë përgjegjësi e përfaqësuesve të zgjedhur të Kosovës.

Ministrat e Grupit të Kontaktit thanë se arritja e një zgjidhjeje me anë negociatash është rruga më e mirë për të ecur përpara sepse do të ndihmonte për të krijuar kushtet në të cilat ajo t’u shërbente interesave të të gjithëve.

Ministrat u bënë thirrje udhëheqësve në Serbi dhe në Kosovë që të tregojnë guximin dhe vizionin e nevojshëm politik për të dalë me propozime realiste dhe largpamëse për të ardhmen si të Kosovës edhe të Serbisë.

Në takimin e djeshëm në Londër, veç ministratve të jashtëm të Grupit të Kontaktit morën pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, të Natos dhe të Kombeve të Bashkuara, përfshirë të dërguarin e posaçëm Martti Ahtisaari.//ii//

XS
SM
MD
LG