Lidhje

Wisner: Statusi i Kosovës të zgjidhet brenda vitit 2006


I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për statusin e Kosovës, anbasadori Frank Wisner, tha të enjten në Prishtinë se negociatat për statusin e Kosovës duhet të mbyllen brenda vitit 2006. Ambasadori Wisner i cili arriti të mërkurën për një vizitë në Kosovë, zhvilloi takime të veçanta me udhëheqësit kryesorë politikë të Kosovës me të cilët siç tha, ka diskutuar qëndrimet e Grupit të Kontaktit, i cili ka nxjerrë përfundime që hapat e ardhshëm të krijojnë një mjedis që do ta bëjë të mundur një zgjidhje paqësore të negociuar të statusit të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara dhe të vendosura për ta kërkuar paqen, për ta shtyrë përpara atë, për t’i çuar këto negociata deri të përmbyllja e tyre dhe që kjo të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, pra të sigurohemi që kjo do të ndodhë gjatë këtij viti", tha ambasadori Wisner.

Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha ndërkaq se qëndrimet e Grupit të Kontaktit janë një hap përpara drejt sqarimit të rrugës së Kosovës derjt statusit përfundimtar të saj, duke shprehur mriënjohjen e tij ndaj Shteteve të Bashkuara për ndihmën që po japin në këtë drejtim. Ai u zotua se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë me zbatimin e standardeve dhe krijimin e besimit tek qytetarët e Kosovës se procesi për krijimin e një shoqërie të lirë e demokratike ku do të ketë sundim të ligjit, është I favorshëm për të gjitha komunitetet.

“Unë e sigurova zotin ambasador se qeveria e Kosovës është duke punuar me përkushtim dhe do të punojë edhe më shumë këta muajt e ardhshëm që të krijohen këto realitete të reja politike, këto fakte politike që qytetarët e Kosovës më të vërtetë jo vetëm të shikojnë por të ndjejnë se ky proces është në të mirën e tyre dhe ata të jenë pjesë e procesit”, tha kryeministri Kosumi.

Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike tha se e ka siguruar ambasadorin amerikan se Prishtina do të luaj rolin e vet të përgjegjshëm për negocimin e të gjitha çështjeve të domosdoshme për bërjen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, duke shprehur besimin e fuqishëm në rolin prijës të Shteteve të Bashkuara në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

“Do t’i diskutojmë dhe do t’i zbatojmë të gjitha prioritetet e domosdoshme demokratike, siç janë garantimi dhe respektimi i të drejtave minoritare, reformimi i pushtetit lokal, bashkëpunimi me të gjitha vendet fqinje, por mbi të gjitha, nuk mund ta negociojmë sovranitetin për Kosovën”, tha zoti Thaçi.

Ai tha se Kosova nuk do t’i zhgënjejë miqtë e saj amerikan dhe partnerët evropian, ndërsa viti 2006 do të jetë vit i pavarësisë së Kosovës. Veton Surroi, kryetar i partisë reformiste ORA i cilësoi si shumë trimëruese porositë e ambasadorit Wisner të cilat, tha ai, pasqyrojnë debatet në takimin e Grupit të Kontaktit, që dëshmon rritjen e shkallës së seriozitetit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj procesit dhe formësimit të fundit të procesit negociues.

“Çështja e cila më duket se është vendimtare në paraqitjen e zotit Wisner dhe mesazhet e Grupit të Kontaktit, është që do të varet jashtëzakonisht shumë ose në mënyrë kruciale nga pala kosovare se si do të përfunojë ky status dhe se pala kosovare është pala më e intersuar se cfarë do të jetë përfundimi I këtij procesi”, tha zoti Surroi.

Oliver Ivanoviq, përfaqësues i Listës serbe për Kosovën dhe Metohinë tha se serbët janë të brengosur me shpejëtsinë që është përcaktuar nga Grupi i Kontaktit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Ai tha se serbët nuk mund të jenë vetëm stoli e institucioneve, por është në duart e shqiptarëve që të tregojnë gatishmëri që t’I pranojnë serbët si bashkëbisedues të barabartë dhe të dëshmojnë se pjesëmarrja e tyre në institucione ka kuptim.

Ai shfaqi shpresën se Beogradi do të kuptojë që bojktimi i zgjedhjeve ishte gabim katastrofik dhe mund t’u kushtojë shumjë shtrenjtë serbëve, duke nënvizuar se marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve më së miri mund të ndërtohen nëpërmjet institucioneve. Ai tha se decentralizimi i pushtetit, si çështje e parë në negociatat për statusin e Kosovës duhet të prodhojë dobi për të gjitha komunitetet në Kosovë. Ambasadori amerikan Frank Wisner, ka udhëtuar të enjten për në Beograd prej nga do të kthehet sërish të shtunën në Prishtinë.

XS
SM
MD
LG