Lidhje

Whitehouse: Problemet e shtypit në Shqipëri- rezultat i faktorëve historikë, politikë dhe ekonomikë


Një nga drejtuesit e një studimi për gjendjen e medias në Evropën Juglindore dhe ish-Bashkimin Sovjetit, thotë se problemet e shtypit në Shqipëri kanë lidhje me faktorë historikë, politikë dhe ekonomikë. Mark Whitehouse, drejtor i zhvillimit të medias pranë organizatës IREX, bordi ndërkombëtar i studimeve dhe këmbimeve, thotë se këta faktorë kanë ndikuar në radhitjen e Shqipërisë në vend të fundit për rajonin në indeksin e hartuar për gjendjen e medias në vitin 2005. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Whitehouse foli edhe mbi përparimin e medias në Kosovë:

Zëri i Amerikës: Zoti Whitehouse, sipas raportit të fundit të IREX-it, megjithëse rajoni i Evropës Juglindore në përgjithësi ka bërë përparime në drejtim të zhvillimit të medias, Shqipëria është në vend të fundit mes vendeve të rajonit. Pse?

Mark Whitehouse: Shqipëria radhitet e fundit mes vendeve të Evropës Juglindore, por duhet të vihet në dukje se në listën e përgjithshme, përfshirë vendet e ish-Bashkimit Sovjetike, është nga mesi. Kjo renditje ka të bëjë me faktorë historikë, si edhe me faktorë politikë dhe ekonomikë. Historikisht, Shqipëria ishte shumë më e izoluar nga perëndimi nën regjimin komunist, ndërsa në vende të tjera të Evropës Juglindore, gazetaria ishte më e zhvilluar atje, qoftë edhe në kohën e regjimeve socialiste. Po të shohësh anën ekonomike, ekonomia e Shqipërisë është një nga më të dobëtat në rajon dhe një gjë e tillë prek aftësinë e medias për të mbijetuar dhe për të kualifikuar gazetarët. Ndërsa politikisht, sipas studimit, në Shqipëri vazhdon të ekzistojë ndikimi i partive politike ndaj gazetarëve dhe medias, si edhe ndikimi i biznesit në përmbajtje.

Zëri i Amerikës: Duke mbetur tek trysnia politike dhe ekonomike, sa të ekspozuar janë përfaqësuesit e medias, gazetarët në Shqipëri ndaj kësaj trysnie dhe pse?

Mark Whitehouse: Sipas raportit, gazetarët përballen me probleme serioze në këtë drejtim që të mund të shkruajnë, apo të transmetojnë hapur dhe lirisht. Shumë prej tyre punojnë pa kontrata, gjë që ua vështirëson mbrojtjen e të drejtave të tyre. Përveç kësaj shumë gazetarë duket se bien në kurthin e autocensurës. Në fakt në përgjithësi raporti është hartuar nga profesionistë të medias në Shqipëri dhe ata vetë vënë në pah që gazetarët e kufizojnë veten për shkak të frikës, që mund të jetë frikë se mos humbin punën, apo se mund të mos gjejnë punë në organe të tjera shtypi dhe në një farë kuptimi mund ta kenë më të lehtë që të mos tregohen agresivë apo të përpiqen të mbulojnë çështje më pak problematike, me rrezikshmëri më të ulët. Mendoj se gazetarët kanë nevojë për mbrojtje më të madhe në punë, duhet të jenë më të organizuar për të kërkuar të drejtat e tyre në Shqipëri. Gjithashtu duhet të ketë një komunitet gazetarësh, ose mbrojtësish të të drejtave të tyre, që të ngrenë zërin për këto shkelje. Këto elemente ekzistojnë në Shqipëri dhe mendoj se me mbështetje si nga brenda, edhe nga organizata ndërkombëtare të medias, ato mund të zhvillohen më shumë. Nuk them se ndryshimi mund të jetë i menjëhershëm, por nuk ka dyshim që mund të bëhet pëparim.

Zëri i Amerikës: Ka një farë paradoksi që vihet re sipas raportit të organizatës suaj. Në vend që të bëhet fjalë për shkeljen, apo abuzimin e të drejtave të gazetarëve, në fakt bëhet fjalë më shumë për mungesë profesionalizmi dhe liri të tepruar të gazetarëve në mënyrën sesi i paraqesin faktet, apo në prekjen që i bëjnë reputacionit, apo jetës personale të njerëzve. Si e shpjegoni ju një gjë të tillë?

Mark Whitehouse: Mendoj se kjo ka të bëjë ndoshta me faktin që nuk ekziston një mekanizëm vetërregullues siç ka në shumë vende të tjera, ku gazetarët vëzhgojnë njëri-tjetrin, raportojnë për shkeljet. Në Shqipëri nuk ka një mekanizëm efektiv të kësaj natyre. Nuk ka një kod etike të fortë, si në redaksitë e ndryshme, ose në nivel kombëtar, gjë që vendos rregullat për sjelljen e gazetarëve. Po ashtu kjo ka të bëjë edhe me përgatitjen e gazetarëve në nivel universitar, një proces që është tashmë në zhvillim e sipër. Me konsolidimin në këtë drejtim do të shohim edhe një rritje të profesionalizmit.

Zëri i Amerikës: Në raportin tuaj gjendja për Kosovën përshkruhet si shumë premtuese dhe citohen shpresat e përfaqësuesve të medias në Kosovë, se zgjidhja e statusit të saj do të ndihmonte gjithashtu edhe në përmirësimin e gjendjes së medias. Si e mendoni ju gjendjen dhe lidhjen mes të dyjave?

Mark Whitehouse: Në një farë mase këto çështje janë të lidhura, në kuptimin që për momentin pa një status të Kosovës, nuk ka shumë investime të jashtme, ka pasiguri të madhe. Megjithatë edhe pa status, shumë stacione radioje dhe televizioni si lokale, ashtu edhe ato që transmetojnë në gjithë Kosovën, po paraqiten shumë mirë si profesionalisht, ashtu edhe financiarisht. Kështu mund të them që media atje po shënon përparim dhe një nga pengesat kryesore është që statusi i Kosovës nuk është përcaktuar. Nëse kjo realizohet, mund të hapet rruga për integrim evropian, për investime dhe të gjitha këto do të ndihmonin në zhvillimin e mëtejshëm të medias. //ad//

XS
SM
MD
LG