Lidhje

Demokracia dhe prirjet ideologjike në botën arabe


Në fjalimin e tij të fundit pët gjendjen e vendit, Presidenti Bush tha se bota arabe duhet të përqafojë demokracinë dhe zgjedhjet e lira. Zgjedhjet e fundit egjiptiane, irakiane dhe palestineze tregojnë se demokracia në botën arabe mund t’u japë fuqi forcave politike që kanë qëndrim armiqësor ndaj Shteteve të Bashkuara:

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin demokracinë në gjithë Lindjen e Mesme,” shprehet Presidenti Bush, i cili ka deklaruar se përhapja e demokracisë në Irak dhe në Lindjen e Mesme do të jetë në të mirë të rajonit.

Por zhvillimet e fundit tregojnë se organizatat politike islamike kanë përfituar në kurriz të regjimeve laike autoritare. Ndërsa zgjedhjet palestineze provuan se fraksionet pro-amerikane nuk fitojnë gjithmonë, edhe kur janë Shtetet e Bashkuara ato që nxisin demokracinë në rajon.

Marina Ottaway, studiuese në Fondacionin Carnegie për Paqen Ndërkombëtare thotë se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë të ndryshojnë qëndrimin e tyre. “Unë parashikoj që Shtetet e Bashkuara të jenë më të kujdesshme kur të nxisin për mbajtjen e zgjedhjeve sa më të shpejta, veçanërisht ato të nivelit kombëtar, sepse u duk qartë që kur thërret demokracia, islamistët përgjigjen”.

Doktore Ottaway thotë se regjimet autoritare do t’i humbin zgjedhjet e lira dhe nëse islamistët përgjigjen, Shtetet e Bashkuara mund të bashkëpunojnë me ta. “Të gjitha këto organizata kanë nga një krah që nxit demokracinë dhe ata janë mes avokatëve më të mirë të demokracisë që mund të gjesh në Lindjen e Mesme. Dhe do të thoja që ata e besojnë me të vërtetë atë që thonë, megjithëse ekziston gjithmonë dyshimi që kjo është vetëm një strategji e tyre, por unë mendoj që vërtet ekziston një grup në këto organizata islamiste që beson në vlerën e demokracisë dhe është i gatshëm të bëjë kompromiset e nevojshme”.

Analistë të tjerë thonë se nuk ka alternativë demokratike ndaj islamistëve, sepse regjime e pazgjedhura kanë burgosur dhe shtypur gjithë zërat e tjerë të opozitës. Christine Nazer, drejtore e komunikimeve në Institutin Arabo-Amerikan në Washington thotë se Shtetet e Bashkuara duhet t’u japë shtysë fraksioneve të moderuara në vendet arabe. "Mendoj se strategjia më e mirë që duhet të ndjekin Shtetet e Bashkuara është të fuqizojnë të moderuarit përmes ndihmave, ndërtimit të institucioneve, rritjes ekonomike dhe tregëtisë. Nuk është e nevojshme që Shtetet e Bashkuara të thonë se nuk janë të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve. Rruga më e mirë sidomos në botën arabe do të ishte forcimi i të moderuarve dhe nxitja e ndryshimeve nga brenda”.

Analistët thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të gjejnë mënyra me islamistët që fitojnë në zgjedhje, ndërsa u jep shtysë alternativave demokratike. //ad//

XS
SM
MD
LG