Lidhje

Gripi i Shpendëve në Ballkan; Shqipëria nuk mund të mos preket


Në Shqipëri autoritetet e shëndetësisë deklarojnë se pas shfaqjes së gripit të shpendëve në thuajse gjithë rajonin e Ballkanit, do të jetë gati e pashmangshme prekja edhe e vendit të tyre nga virusi H5N1.

Ministri i Shëndetësisë, Maksim Cikuli u shpreh sot se “do të ishte naivitet të mendohej se Shqipëria do të kursehet nga Gripi i Shpendëve. Përderisa është në Ballkan do të vijë edhe këtu”, tha zoti Cikuli. Ai shpjegoi se po merren të gjitha masat për të përballuar shfaqjen e këtij gripi tërrezikshmëm, duke porositur furnizime të reja me vaksinën Tamiflu si dhe me veshje të posaçme mbrojtëse nga një infeksion i mundshëm. Ai ka këshilluar popullatën, veçanërisht atë që banon pranë liqeneve apo lagunave, që në asnjë rast të mos prekin shpend që mund të gjenden të ngordhur.

Po sot, Ministri i Ambientit Lufter Xhuveli njoftoi se ka nxjerrë një urdhër për mbylljen e parakohshme të sezonit të gjuetisë si dhe vulosjen e armëve të gjahut. Sipas tij do të intensifikohet edhe sistemi i vrojtimit dhe sinjalizimi nga drejtoritë e shërbimit pyjor. Sipas specialistëve situata tashmë paraqitet më e rrezikshme se ajo e disa muajve më parë, për shkak se Shqipëria është në trajektoren e lëvizjes migratore të shpendëve nga jugu në Veri. Aq më tepër që vendi ka një vijë të gjatë bregdetare dhe tre zona të mëdha lagunore të cilat mund të përdoren si stacione pushimi nga shpendët gjatë shtegtimit të tyre. //rd//

XS
SM
MD
LG