Lidhje

Presidenti Moisiu thërret Këshillin e Sigurimit Kombëtar për masat ndaj gripit të shpendëve


Presidenti Alfred Moisiu deklaroi sot se Shqipëri duhet të reagojë si një vend i kërcënuar direkt nga sëmundja e grupit të shpendëve pavarësisht nëse deri tani ka apo jo shenja të saj.

Këto komente kreu i shteti shqiptar i bëri gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar e cila u ndal në shqyrtimin e situatës dhe masat që janë marrë në rast të shfaqjes së gripit të shpndëve edhe në vend. Ndërkaq nesër priten përgjigjet e analizave për një rosë të dyshuar e cila u gjet e ngordhur në Shëngjin.

Vala e dytë e përhapjes së gripit të shpendëve e cila përfshiu në një kohë shumë të shkurtër disa vende të Europës, rajonin e Balkanit dhe fqinjët e Shqipërisë e ka bërë temë të ditës këtë cështje edhe këtu. Presidenti Alfred Moisiu tha sot se ky është një problem aktual, shumë i rëndësishëm që ka të bëjë jo vetëm më zhvillimin ekonomik por direkt me jetën e qytetarit.

Kreu i shtetit mblodhi Këshillin e Sigurimit Kombëtar për të diskutuar rreth masave dhe përgatitjeve të vendit për të përballuar përhapjen e mundshme të këtij gripi. Ditët e fundit është zgjeruar harta e vendeve të prekura nga sëmundja, duke iu afruar shumë edhe rajonit tonë. Ngaqë bëhet fjalë për një sëmundje që vjen nga shpendët, të cilët shtegtojnë dhe vijnë nga rajone të ndryshme të botës, atëherë ne duhet të pranojmë dhe të reagojmë si një vend i kërcënuar direkt nga sëmundja, pavarësisht nëse deri tani ka shenja apo jo. Presidenti vlerësoi masat e marra deri më tani. Por sipas tij, duke u nisur dhe nga eksperiencat e kaluara që të cilat kanë treguar se shumë nga masat e parashikuara në realiztet nuk kanë funksionuar ka kërkuar një përforcim të kontrolleve dhe një fushatë më te gjerë sensibilizuese.

Në raportin e Ministrit të Shëndetësisë jepet një prognozë dramatike se çfarë mund të ndodhë nëse vendi ynë preket nga Pandemia e Gripit, gjë që urojmë shumë të mos na ndodhë. Fakti se vende shumë pranë nesh, si Italia, të cilat kanë mundësi shumë herë më të mëdha parandaluese për sëmundjen, po marrin masa drastike kundër importimit të shpendëve nga vendet e tjera, duhet të na bëjë shumë më të prerë në ndalimin e importit dhe në shtrëngimin e kontrollit doganor e kufitar.

Autoritetet shqiptare praktikisht janë të bindura që Shqipëria nuk do të mund të kursehet nga gripi i Shpendëve. Dje kryeministri Sali Berisha deklaroi se parandalimi i virusit është i pashmangshëm, ndërkohë që ka kërkuar monitorim të të gjithë lagunave, zonave ujore dhe territoreve të vendit. Banka botërore ka akorduar 5 milion euro për mbrojtjen ndaj epidemisë së gripit.

Alarmi rreth kësaj sëmundje ka dëshmuar deri tani se ka një reagim të shpejtë të popullatës ndaj cdo rasti të dyshimtë. Për çdo shpend të gjetur të ngordhur sinjalizohen menjëherë autoritetet. Aktualisht Instituti I Kërkimeve veterinare po kryen analizat e një rose të gjendur të ngordhur në Shëngjin, për shkak të dyshimeve se mund të jetë e infektuar. Specialistët premtojnë se nesër do të ketë një përgjigje të saktë. //rd//

XS
SM
MD
LG