Lidhje

Ministri i jashtëm francez akuzon Iranin se po përpiqet të ndërtojë armë bërthamore


Ministri i jashtëm francez Philippe Douste Blazy akuzoi Iranin se po përpiqet fshehtazi të ndërtojë armë bërthamore. Zoti Douste Blazy i tha sot televizionit francez se anjë program civil nuk mund të shpjegojë aktivitete bërthamore të Iranit. Ai shtoi se komuniteti ndërkombëtar ka përsëritur vazhdimisht thirrjen që Irani të ndalojë të gjitha aktivitetet bërthamore.

Kryenegociatori i Iranit për çështjet bërthamore, Ali Larixhani hodhi poshtë akuzat dhe kritikoi gjithashtu zotin Douste Blazy për rritjen e tensioneve. Në fillim të javës, Irani rifilloi pasurimin e uraniumit, megjithë thirrjet ndërkombëtare për të ndërprerë aktivitete të tilla.

Rusia i ka ofruar Iranit ta zhvillojë procesin e pasurimit në vendin e tij në përpjekje për të zgjidhur krizën. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pritet të diskutojë për sanksione kundër Iranit pasi agjencia e OKB-së për energjinë bërthamore të nxjerrë një raport mbi këtë çështje muajin e ardhshëm. Dhoma e Përfaqësusve e Kongresit amerikan miratoi sot me shumicë dërmuese votash një rezolutë, e cila dënon Iranin për shkeljen e detyrimeve të tij për mos përhapjen e armëve bërthamore. //rd//

XS
SM
MD
LG