Lidhje

Mustafaj: Në Samitin e 2008-ës Shqipërisë besoj t’i vijë ftesa për anëtarësim në NATO


Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, ju sot i jepni fund vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara në kuadrin e Takimit të Kartës së Adriatikut. Cila do të thonit se ishte e reja takimit të këtij viti?

Besnik Mustafaj: Siç më thonë dy koleget e mija kroate dhe maqedone, takimi i A-3-it kësaj here ishte i një niveli shumë të lartë, krahasuar me më të mëparshmet. Atmosfera pritëse e Departamentit të Shtetit dhe e institucioneve amerikane ishte shumë vlerësuese në përgjithësi. Pra, kjo është një e re e krahasuar me një kohë kur unë nuk ka qenë. E dyta, unë synova dhe jam shumë i lumtur të pohoj se arrita që kësaj ardhjeje në Washington e cila ishte në kuadrin e një organizate shumëpalëshe, pra të Kartës së Adriatikut, t’i jepja edhe dimension bilateral, sepse pata edhe takime të nivelit shumë të lartë, qoftë në Departamentin e Shtetit, qoftë në Kongres, në Dhomën e Përfaqësuesve, pata një takim shumë të ngrohtë dhe shumë të dobishëm me Guvernatorin e Floridës, me zotin Xheb Bush. Dmth. e reja ishte dimensioni bilateral.

Zëri i Amerikës: Pas takimit me Nënsekretarin amerikan të Shtetit Nicholas Burns dhe pasi morët mendimet e tij dhe të zyrtarëve të tjerë amerikanë me të cilët u takuat, a do të ishte realiste të thuhej se Shqipëria mund të anëtarësohet në NATO në një deri në dy vjetët e ardhshëm?

Besnik Mustafaj: Jo. Nuk shtrohet ky kalendar, që të jem i sinqertë, ne jemi pjesë e një grupi, e një treni, pra të gjithë bashkë do të shkojmë, pra bashkë me miqtë tanë kroatë dhe maqedonas. Por unë mund të them me një siguri shumë të madhe se takimi që patëm me Këshilltarin e Presidentit Bush për Sigurinë Kombëtare, zotin Stivën Hadli, ishte i tillë, që ne na jep besim të plotë se në Samitin e 2008-ës Shqipërisë do t’i vijë ftesa për anëtarësim në NATO, çka është një kalendar realist edhe në përputhje me çka mbetet për t’u bërë në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Megjithëse siç thoni ju, është e parakohëshme të flitet për një datë anëtarësimi, çfarë përfitimesh konkrete do të kishte Shqipëria në se do të anëtarësohej në NATO?

Bensik Mustafaj: Përfitimet janë të shumta dhe nuk janë të reja, pra nuk mbetet për t’i artikuluar unë për herë të parë; por bërja pjesë në këtë familje të madhe të NATO-s, që janë vendet demokratike dhe të fuqishme, do të thotë t’i japë Shqipërisë në rol më të madh ndërkombëtar për paqen dhe stabilitetin në botë; siguria kombëtare shqiptare të jetë përfundimisht në duar të palëkundura, si të thuash, afirmimi i potencialit dhe i parimeve mbi të cilat mbështetet tashmë zhvillimi i ardhshëm i Shqipërisë të jetë tashmë pa kthim prapa. Kështuqë, integrimi në NATO nuk është një çështje thjesht materiale, nuk është një çështje programesh të caktuara thjesht në një moment, apo në një moment tjetër, nuk është çështje vetëm e disa stërvitjesh të ushtrisë sonë me ushtri të tjera, nuk është vetëm pjesëmarrje e Shqipërisë në përbërje të NATO-s në Afganistan, apo në një vatër tjetër të nxehtë, por është konfirmim i një identiteti të ri politik të Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se ishit në Florida, ku u takuat me guverantorin e shtetit, Xheb Bush. Çfarë synonte ky takim me guvernatorin e Floridës?

Besnik Mustafaj: Unë do të ndalem tek aspekti i rëndësisë që mund të ketë Florida për Shqipërinë. Unë pata një bisedë shumë të ngrohtë, një bisedë shumë të gjerë, njëkohësisht, që zgjati pothuajse një orë, dhe që në thelb reflektoi një nevojë që ndjejmë ne për të thithur eksperiencën dhe financimet nga shteti i Floridës në fusha të tilla, siç është turizimi, infrastrukutra, industria agro-ushqimore. Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë të ketë një mik si Xheb Bush, t’i themi gjërat siç janë dhe ajo që më bën të kthehem shumë optimist në Tiranë, është atmosfera mirëkuptuese që gjeta tek guvernatori Bush, për projektet e ardhshme të zhvillimit të Shqipërisë. Synimi ynë është i dyfishtë. E para, ne të ballancojmë një zhballancim që ekziston midis një niveli shumë të mirë të shkëmbimeve politike që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një ekzistencë skeletike, do të thoja pa ngurrim, të biznesit amerikan në Shqipëri dhe ne duhet të arrijmë që prezenca e biznesit amerikan të jetë e atij niveli sa ç’është edhe prezenca dhe mirëkuptimi politik. Ne këtë do ta bëjmë, është një punë në vazhdim, është një punë në interes të të dyja vendeve. Shoh një mirëkuptim të madh të administratës amerikane për këtë shqetësim që ne ngrejmë. Mendoj se roli që po luajnë SHBA edhe aktualisht për statusin final të Kosovës, i jep edhe një vizion shumë më të gjerë prezencës amerikane në Shqipëri dhe e bën si të thuash, perspektivën më të realizueshme.

Zëri i Amerikës: Të qëndrojmë pak tek statusi përfundimdtar i Kosovës. Gjatë këtij viti tepër të rëndësishëm për përcaktimin e këtij statusi, cili do të jetë roli strategjik që do të luajë Shqipëria?

Besnik Mustafaj: Shqipëria do të ketë një rol që e ka të formuluar tashmë. Ne do të jemi aktivë, por jo aktorë, çka do të thotë se sidomos në situatën e krijuar pas vdekjes së presidentit Rugova, Kosova dha një provë të madhe pjekurie; klasa politike dha një provë pjekurie. Por kjo nuk e pakëson rolin e Shqipërisë, për të sqaruar së paku para komunitetit ndërkombëtar se statusi final i Kosovës duhet të jetë vetëm pavarësi, me kusht, apo garanci, le t’ia lemë këtë lojë gjuhësore formuluesve të termave.

Zëri i Amerikës: Për çfarë kushtesh dhe garancie është fjala?

Besnik Mustafaj: Kushtet dhe garancitë kryesore janë mosndryshimi i kufijve të Kosovës, mosndarja e saj, mosbashkimi i saj as me një pjesë të ndonjë vendi tjetër, as edhe me një vend tjetër dhe sidomos respektimi i të drejtave të komunitetit serb dhe i të drejtave të komuniteteve të tjera minoritare në Kosovë, qofshin ata serbë, turq, etj. Kështuqë këto kushte, të cilat nuk cënojnë thelbin e pavarësisë së Kosovës, të shpjegohen qartë edhe nga ne, përpara komunitetit ndërkombëtar, se me këtë pavarësi, pra të prodhohet stabilitet dhe jo destabilitet. Dhe të gjitha format shantazhiste që përdor Beogradi për gjoja destabilitetin që mund të krijojë një Kosovë e pavarur, nuk qëndrojnë dhe nuk përputhen me realitetin.

Zëri i Amerikës: Ditët e fundit qeveria spanjolle i kërkoi Shqipërisë të luajë një rol në Konferencën Islamike për çështjen e reagimit të shkaktuar nga botimi i karikaturave të profetit Muhamed. A u shtrua kjo kërkesë edhe në bisedimet me zyrtarët këtu në Washington?

Besnik Mustafaj: Kjo temë u prek edhe në bisedimet që pata me Nënsekretarin e Shtetit Burns, edhe me gruvernatorin Bush, që të jem i sinqertë. Të dy kanë një perceptim, çka do të thotë që administrata amerikane ka një perceptim shumë të drejtë mbi natyrën sekulariste të islamit shqiptar. Ne do të vazhdojmë të luajmë atë rol që kemi luajtur për të përcjellë mesazhe tolerance në përgjithësi, edhe ndaj rajoneve myslimane. Nuk është një mision që na është kërkuar ne, por është një shkëmbim opinioni, qoftë, edhe nga miku im spanjoll, Ministri i Jashtëm Muratinos; dhe ne do të vazhdojmë të jemi përcjellës të atij mesazhi që përputhet me vetë natyrën e shoqërisë shqiptare, që përputhet me parimet tona kushtetuese, që përputhet edhe me filozofinë e modernitetit me të cilën po synon të hyjë Shqipëria.

XS
SM
MD
LG