Lidhje

Grupi Ndërkombëtar i Krizave rekomandon imponimin e një pavarësie për Kosovën


Grupi Ndërkombëtar i Krizave, një organizatë prestigjioze që përpiqet për parandalimin e konflikteve, rekomandoi në një raport të botuar sot, që komuniteti ndërkombëtar të jetë i përgatitur për të imponuar një pavarësi për Kosovën se sa të përpiqet të sheshojë mosmarrëveshjet midis Prishtinës dhe Beogradit dhe të dalë me një zgjidhje të paqartë.

Raporti botohet ndërkohë që në Vjenë përgatiten të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës. Në raportin e tij, Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se çështja kryesore në procesin e statusit përfundimtar është krijimi i një Kosove e cila të ketë mundësitë më të mëdha për stabilitet dhe zhvillim të qendrueshëm.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave e thotë qartë që në fillim se, megjithëse një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës do të ishte teorikisht e dëshirueshme, do të kishte shumë pak të ngjarë që qeveria serbe të pranonte vullnetarisht një pavarësi për Kosovën, qoftë edhe të kufizuar. Prandaj, komuniteti ndërkombëtar dhe sidomos i dërguari i posaçëm i OKB-së Marti Ahtisari, duhet të përgatiten për mundësinë e imponimit të pavarësisë për Kosovën.

Raporti e pranon se imponimi mund të jetë diçka e dhimbëshme nga pikpamja diplomatike dhe në vështrimin afatshkurtër, por do të ishte më mirë se sa përpjekjet për të ngushtuar diferencat midis Prishtinës dhe Beogradit me një zgjidhje të paqartë. Kjo, thuhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, nuk i shmang përgjegjësitë nga ana e shumicës shqiptare. Ata duhet t’u ofrojnë të drejta serbëve dhe pakicave të tjera në të paktën tre aspekte: në institucionet qendrore, në decentralizimin dhe në trashëgiminë fetare e kulturore.

Një marrëveshje për decentralizimin, e cila do të ndërmjetësohej nga ekipi i Ahtisarit, thuhet në raport, do të zbatohej pastaj nën mbikqyrjen ndërkombëtare për një periudhë trevjeçare, siç u veprua me Marrëveshjen e Ohrit në Maqedoni. Negociatorët e Prishtinës, rekomandon Grupi Ndërkombëtar i Krizave, duhet që të fillojnë gjithashtu pa vonesë bisedimet e drejtpërdrejta me Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë lidhur me mbrojtjen e saj dhe të objekteve të saj fetare. Vetëm pasi të jetë arritur kjo, Grupi i Kontaktit mund të fillojë lëvizjet zyrtare dhe të bashkërenduara drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Paketa e pavarësisë që komuniteti ndërkombëtar do të vendosë për Kosovën, thuhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, duhet ta shohë me përparësi zhvillimin e saj shoqëror dhe ekonomik. Megjithëse një rezolutë e Këshillit të Sigurimit do të ishte jetike për ta vënë Kosovën në një kurs pavarësie nga Serbia, çdo mision i ri ndërkombëtar në Kosovë do të ishte e pëlqyeshme që të bazohej mbi një marrëveshje me shtetin e ri. Kjo prani ndërkombëtare, thotë Grupi Ndërkombëtar i Krizave, duhet të ketë më pak kompetenca se sa ajo që ka patur në Bosnje Përfaqësuesi i Lartë.

Institucionet e Bashkimit Evropian me të drejtë theksojnë se duan një Kosovë e cila të trajtohet në shumicën e aspekteve si një vend normal, ku politikanët përgjigjen para elektoratit të tyre. Por ka një zonë, thotë raporti, ku komuniteti ndërkombëtar duhet të shikojë mundësinë për një ndërhyrje më të madhe dhe kjo është Kosova veriore, sidomos Mitrovica, ku strukturat paralele serbe i bëjnë sfidë UNMIK-ut dhe sidomos qeverisë. Nëse inkorporimi i kësaj pjese do t’i lihej qeverisë së re të Kosovës, kjo do të çonte në shpërthimin e dhunës. Zgjidhja më e arësyeshme do të ishte krijimi atje i një autoriteti kalimtar.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave rekomandon në raportin e tij që i dërguari i posaçëm Ahtisari t’i drejtohet qysh në fillim OKB-së me propozimin për të imponuar një pavarësi me kushte, nëse shqiptarët e Kosovës kanë bërë me vetëdije oferta të arësyeshme ndaj pakicave. Gjithashtu, Grupi Ndërkombëtar i Krizave i rekomandon Grupit të Kontaktit që të përgatitet për të treguar rrugën se si mund të bëhet e pavarur Kosova dhe se si mund të vihej kjo në zbatim në rast se Beogradi refuzon, pasi shqiptarët të kenë bërë oferta serioze lidhur me pakicat. //rd//

XS
SM
MD
LG