Lidhje

Shqipëri: Ministri Olldashi premton verifikimin e menjëhershëm të keqtrajtimit të gazetarit Gert Xhaja


Në Shqipëri, policia e Lushnjes përdori mbrëmë dhunë ndaj një gazetari të së përditshmes Gazeta Shqiptare dhe televizionit News 24. Gerti Xhaja u keqtrajtua nga disa policë në një lokal të familjes së tij në këtë qytet vetëm sepse kërkoi të fotografonte uniformat blu. Për ngjarjen ka reaguar menjëherë ministri i Brendshëm Sokol Olldashi, ndërsa sot kryeministri e quajti atë një akt të papranueshëm dhe kërkoi vënien përpra përgjegjësisë të policëve që kanë ushtruar dhunë:

Gazetari i së përditshems Gazeta shqiptare dhe i Televizionit News 24 është keqtrajtuar në mënyrë të përsëritur mbrëmë nga forcat e policisë së Lushnjes. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ndërsa Xhaja ishte në një lokal të familjes së tij kur forcat e policisë kanë hyrë për të ushtruar kontroll dhe kanë nisur të nxjerrin jashtë disa nga klientët.

Xhaja ka nxjerrë aparatin fotografik për të bërë një foto dhe sipas Gazetës Shqiptare, kjo ka provokuar shpërthimin e dhunës nga ana e policëve. Ata, mëgjithëse kanë mësuar se ishte gazetar, e kanë goditur disa herë, pas tij edhe të atin, dhe e kanë marrë në furgonin e tyre duke e çuar në qelitë e Komisariatit. Gjatë gjithë kësaj kohe, si në makinë ashtu dhe në qeli ka vazhduar keqtrajtimi i tij.

Menjëherë për këtë ka incident ka ndërhyrë minisri i Brendshëm Sokol Olldashi. Xhaja është nxjerrë nga qelitë ndërsa në Lushnje janë nisur inspekorët e Kontrollit të Bendshëm të ministrisë.

Gazetari ka dalë përfundimisht nga komisariati vetëm pas orës 23 të mbrëmjes së djeshme. Në fytyrën e tij dalloheshin qartë shenjat e dhunës ku njëri sy ishte thuajse tërësisht i nxirë. Sipas Xhajës ai jo vetëm është rrahur nga policët, por e gjitha kjo ka ndodhur dhe në prani të shefit të krimeve të këtij komisariati, i cili ka asistuar gjatë ushtrimit të dhunës pa ndërhyrë.

Ministri i Brendshëm Sokol Olldashi ka premtuar verifikimin e menjëhershëm dhe zbardhjen e ngjarjes. Ndërsa sot kryeministri Sali Berisha me anë të një deklarate zyrtare e ka cilësuar këtë ngjarje se si një akt të papranueshëm që bie ndesh me angazhimin e vendosur të qeverisë për të respektuar dhe inkurajuar veprimtarinë e lirë të gazetarëve dhe mediave. Kryeministri ka kërkuar nga Ministria e Brendshme idenfikimin e policëve autorë të aktit si dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Nga ana e tyre socialistët në opozitë kanë bërë përgjegjëse për këtë ngjarje qeverinë. Edhe organizata e njohur Mjaft ka deklaruar se ngjarje të tilla nuk duhet të përsëriten dhe fajtorët të dënohem me të vërtetë. //ad//

XS
SM
MD
LG