Lidhje

Masat e sigurisë për Lojrat Olimpikte Dimërore 2006, në Torino


Në Lojrat Olimpike të Torinos nuk ka patur probleme të sigurisë. Por zyrtarët thonë se atje ka një nivel të lartë gatishmërie dhe se deri tani nuk ka patur asnjë incident.

Në Torino dhe në malet përreth qytetit janë sjellë mbi 9 mijë policë nga e gjithë Italia, në gatishmëri të plotë për Lojrat Olimpike. Kostoja për trupat shtesë të policisë është rreth 110 milionë dollarë. Veç kësaj, forcat ushtarake dhe ato të zbulimit punojnë kryesisht në prapa skenë.

Deri tani, pak probleme ka patur në Lojërat Dimërore, por Roberto Massucci i Qendrës Kombëtare të Informacionit të Lojërave Olimpike thotë se forcat e sigurisë janë kurdoherë në gatishmëri. "Nuk kemi një situatë alarmi, por niveli i sigurisë është gjëja më e rëndësishme në Itali." Për shkak të protestave të myslimanëve pas botimit të karikaturave të profetit Muhamet, për atletët nga Danimarka masat e sigurisë janë shtuar.

Incidentet e vetme që kanë ndodhur deri tani, ishin gjatë stafetës së pishtarit. Protestuesit ishin italianë, pjesëtarë të një organizate që është kundër ndërtimit të një linje trenash të shpejtë në malet pranë. Këto male thuhet se janë të pasura në rezerva azbesti dhe uraniumi. Doriana Tassotti e kësaj organizate thotë se nuk i kanë lejuar të protestojnë pranë zonës ku zhvillohen Lojërat Olimpike, madje as në rrugët Torinos. "Ne nuk mund të bëjmë asgjë. U përpoqëm të protestojmë në Torino, por, natyrisht që nuk na lanë t’i afrohemi stadiumit ku zhvillohen Lojërat."

Zoti Massucci thotë se mbështetja e fuqishme e publikut italian për Olimpiket dhe dënimi prej tyre i protestuesve ndikoi më tepër në ndalimin e demonstratave se sa kufizimet e policisë. "Policinë po e ndihmojnë jashtëzakonisht shumë njerëzit. Ishin ata që nuk krijuan asnjë mundësi që të ndodhte diçka gjatë stafetës të pishtarit për në vendin e Lojërave".

Disa vizitorë janë mërzitur nga kufizimet. Këtyre tifozëve sllovakë, për shembull, nuk u pëlqen fakti që nuk afrohen dot tek Flaka Olimpike për të bërë fotografi. Ndërsa amerikanit Marty Mccabe nuk i pëlqejnë distancat e gjata midis bileterive dhe hyrjeve të stadiumit. "Duhet të ecësh më tepër se 1 kilometër për të ardhur deri këtu," thotë Marti. Por ka edhe të tjerë, si finlandezi Jami Huttunen, që ndjehet mirë nga masat e sigurisë. "Jam i lumtur që gjithshka kontrollohet."

Për shumicën e njerëzve këtu mungesa e lehtësirave të tilla është një çmim i vogël kur është fjala për sigurinë.

XS
SM
MD
LG