Lidhje

Norris: Komuniteti ndërkombëtar të jetë i gatshëm të imponojë pavarësinë,  në mungesë të një marrëveshjeje Prishtinë-Beograd


Xhon Norrisin, këshilltar i posaçëm i presidentit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, shfaq shpresën që palët në bisedime për statusin e Kosovës të bien dakord për një marrëveshje, që do t’i jepte Kosovës pavarësinë, me disa kushte, që duhet të përmbushë. Javën e kaluar, Grupi i Krizave rekomandoi që komuniteti ndërkombëtar të jetë i përgatitur për të imponuar një pavarësi për Kosovën, se sa të përpiqet të sheshojë mosmarrëveshjet midis Prishtinës dhe Beogradit dhe të dalë me një zgjidhje të paqartë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Norris tha se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të imponojë menjëherë një diktat, por në mungesë të një marrëveshjeje, ai duhet të dalë me një propozim për të ardhmen e Kosovës, që të jetë i pranueshëm dhe i arsyeshëm.

Zëri i Amerikës: Javën e kaluar, Grupi Ndërkombëtar i Krizave lëshoi raportin e tij më të fundit mbi Kosovën. Por para se të flasim rreth këtij raporti, do të doja t’u pyes rreth bisedimeve të kësaj jave midis Prishtinës e Beogradit në Vjenë. Si i vlerësoni ju këto bisedime?

Xhon Norris: Mendoj se me të drejtë, kërkesat që u ishin vënë bisedimeve të Vjenës në kuptimin e asaj që do të arrihej atje, ishin relativisht të ulta. Kosova ka një president të ri dhe mendoj se i dërguari i posaçëm Marti Ahtisari e kupton se puna më e vështirë e bisedimeve ndoshta nuk do të jetë në Vjenë, por ky ishte një rast për t’i vënë të dyja palët së bashku, pra një gjest i vullnetit të mirë. Ai e kupton sidoqoftë se pjesa më e vështirë do të jetë diplomacia e ecejakeve midis Prishtinës, Beogradit, Uashingtonit, Moskës dhe kryeqyteteve të tjera. Pra mendoj se ai nuk shpreson shumë se nga Vjena do të dalin rezultate të mëdha.

Zëri i Amerikës: Në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave thuhet se komuniteti ndërkombëtar duhet të imponojë pavarësinë e Kosovës. Cilat qenë arsyet dhe rrethanat që çuan në këtë rekomandim?

Xhon Norris: Natyrisht, ne shpresojmë që të gjitha palët të mund të bien dakord me rezultatin dhe ashtu siç e kemi argumentuar edhe në të kaluarën, ne mendojmë se Kosova duhet dhe do të bëhet e pavarur dhe se kësaj pavarësie duhet t’i bashkangjiten disa kushte me kalimin e kohës. Ne nuk themi se komuniteti ndërkombëtar duhet që menjëherë të imponojë një diktat. Ne themi në raport që komuniteti ndërkombëtar është e nevojshme të jetë i përgatitur nëse Beogradi refuzon të lëshojë pe ose mendon se mund t’i mbajë peng bisedimet. Pra në një rast të tillë, komuniteti ndërkombëtar duhet të dalë me një propozim për të ardhmen e Kosovës që të jetë i pranueshëm dhe i arësyeshëm.

Zëri i Amerikës: Sa real është ky rekomandim, duke pasur parasysh qëndrimet krejtësisht të kundërta të Prishtinës dhe Beogradit?

Xhon Norris: Ne mendojmë se është realist në një masë të arsyeshme. Ne kemi dëgjuar prapa dyerve të mbyllura dhe kemi parë në deklaratat e Grupit të Kontaktit, se fuqitë më të mëdha, duke përfshirë madje edhe Rusinë, e pranojnë se është e nevojshme që Kosova të jetë e pavarur dhe se nuk ka ndonjë alternativë tjetër që mund të funksionojë për një periudhë afatgjatë. Mendoj se është me shumë rëndësi që fuqitë e mëdha kanë pak a shumë të njëjtin qendrim përsa i përket kësaj çështjeje. Ne e dimë se pozicionet e Prishtinës dhe Beogradit janë shumë larg njëri-tjetrit, gjë që është diçka normale në bisedime, por çështja kryesore është se sa realiste do të jenë propozimet që do të ngrejë Prishtina në bisedime, për shembull lidhur me decentralizimin, për të lejuar komunat që të kenë një farë kontrolli mbi fatet e tyre, lejimi i njerëzve për të frekuentuar lirisht objektet e tyre fetare dhe çështje të tjera me rëndësi për mbrojtjen e pakicave. Beogradi ndoshta e ka humbur Kosovën dhe është e nevojshme që të shohë drejt së ardhmes dhe të fillojë të negociojë lidhur me mënyrat më të mira për mbrojtjen e pakicave në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Sa i gatshëm dhe i përgatitur është komuniteti ndërkombëtar që ta bëjë një hap të tillë, pra të imponojë pavarësinë për Kosovën.

Xhon Norris: Nga bisedat që kam patur me disa diplomatë që kanë lidhje me bisedimet, mendoj se ekziston një dëshirë reale që kjo çështje të përfundojë brenda vitit 2006 dhe që t’i dorëzohet pastaj Këshillit të Sigurimit aty nga shtatori ose tetori i këtij viti. Mendoj se të gjitha palët e kuptojnë se do të arrijë një pikë kur komunitetit ndërkombëtar do t’i duhet të veprojë me forcë që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje, pavarësisht nëse kjo do të bëhet me imponim ose me pëlqimin e tyre. Mendoj se shumë gjëra do të varen nga fakti nëse do të arrihet një marrëveshje me Beogradin në kuptimin se si e shikon ai të ardhmen e tij në Evropë, pra lidhur me anëtarësimin në Nato dhe në Bashkimin Evropian. Por në të njëjtën kohë, në Beograd ka njerëz që janë më realistë lidhur me situatën në Kosovë se sa e shprehin këtë në deklaratat e tyre publike.

Zëri i Amerikës: Zoti Norris, kur flitet për çështjen e Kosovës, për statusin e saj përfundimtar, është vështirë të mos dëgjosh në të njëjtën kohë edhe për çështjen e respektimit të të drejtave të pakicave. Sa shqetësuese është gjendja e të drejtave të pakicave në Kosovë. A kemi të bëjmë këtu me një perceptim apo me një gjendje reale.

Xhon Norris: Mendoj se ky ka qenë si problem perceptimi ashtu edhe realiteti. Natyrisht ndonjëherë është e lehtë të thuash se shqetësimet e sigurisë për pakicën serbe janë të ekzagjeruara, ose shqetësimet për mungesën e lirisë së lëvizjes zmadhohen qëllimisht nga udhëheqësit politikë, përfshirë disa në Beograd. Në të njëjtën kohë, ne kemi parë probleme shumë serioze dhe reale lidhur me qendrimin e shumicës shqiptare ndaj të drejtave të pakicave. Mendoj se trazirat e marsit 2004 i lanë një shije të hidhur komunitetit ndërkombëtar dhe u cilësuan si trazira të organizuara dhe si sulme dashakeqe jo vetëm ndaj individëve por edhe ndaj objekteve historike e kulturore. Gjëra të tilla nuk shlyhen shpejt nga kujtesa. Prandaj shpesh herë, retorika që ne dëgjojmë nga udhëheqësit politikë të shqiptarëve duket shumë e zbrazët dhe jo e shoqëruar nga masa praktike në terren për të përmirësuar kushtet e jetesës për serbët. E kuptoj se kjo nuk është një çështje e lehtë sepse disa herë pjesmarrja e serbëve mbahet peng nga shqetësimet e Beogradit. Megjithatë, mund të bëhet shumë në aspektin praktik të problemeve të përditëshme siç janë furnizimi me energji elektrike, të cilat mund të kenë një efekt të madh në përmirësimin e jetës së përditëshme për serbët e Kosovës dhe t’i bëjë ata të ndihen se kanë një të ardhme në Kosovë.

XS
SM
MD
LG