Lidhje

Në Irak dhuna sektare shkakton viktima të reja


Të paktën 68 persona humbën jetën në kryeqytetin irakian gjatë një vale të re shpërthimesh, pas heqjes nga autoritetet ditën e hënë të ndalim-qarkullimit në Bagdat dhe përrreth tij.

Pjesa më e madhe e viktimave gjetën vdekjen nga bombat e vëna në objektet e shenjta, duke përfshirë një shpërthim në një xhami shiite në lagje Hurrijah të Bagdadit ku mbetën të vrarë 23 persona.

Po dje, afër Bakubës u gjetën nëntë trupa të shpartalluar nga plumbat. Në qytetin e lindjes së Sadam Huseinit, Tikrit, një bombë dëmtoi xhaminë e ndërtuar mbi varrin e babait të tij.

Duke komentuar mbi gjakderdhjen, presidenti Bush tha se irakianët dhe udhëheqësit e tyre duhet të zgjedhin mes kaosit dhe bashkimit. Ai tha gjithashtu se beson që irakianët do të zgjedhin bashkimin dhe se Shtetet e Bashkuara do t’i ndihmojnë ta bëjnë këtë.

Iraku filloi të rrëshqiste drejt luftës civile pas hedhjes në erë më 22 shkurt të xhamisë shiite Askariya në Samarra, një nga vendet më të shenjta të islamizmit shiit. Qindra njerëz kanë vdekur nga sulmet hakmarrëse pas këtij incidenti.

ZYRTARET AMERIKANE TE ZBULIMIT SHPREHIN SHQETESIM

Dje, dy zyrtarë të lartë amerikanë të zbulimit paralajmëruan se incidente të tjera mund ta rëndojnë më tej situatën e nderë në Irak.

Dhuna sektare mori një drejtim të ri të mërkurën e kaluar, kur në qytetin Samara u sulmua xhamia e shenjtë shiite e imamëve Ali al-Hadi dhe al-Hasan al-Askari. Xhamia një mijë vjeçare u sulmua me lëndë plasëse dhe kupola e saj e artë u shkatërrua plotësisht. Ky incident u bë shkak për sulme hakmarrëse dhe për shqetësimet se Iraku po shkon drejt luftës civile.

Gjeneral-Lejtnant Michael Maples, drejtor i Agjencisë së Zbulimit për Mbrojtjen dhe zyrtari më i lartë amerikan i zbulimit ushtarak, tha se gjendja në Irak është shqetësuese.

"Mendoj se java e kaluar ka qenë një javë shumë e rëndësishme në Irak. Niveli i dhunës sektare është rritur mjaft në terren si rrjedhojë e hedhjes në erë të xhamisë. Ne pamë pikërisht hendekun e thellë që ekziston mes sunive dhe shiitëve në Irak."

Por gjenerali deklaroi dje përpara Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura se gjendja nuk është keqësuar deri atje sa të mos mbajë më.

"Mendoj se kushtet ekzistojnë por tani për tani nuk kemi të bëjmë me një luftë civile."

John Negroponte, drejtor i Zbulimit Kombëtar, tha se udhëheqësit politikë dhe fetarë të Irakut e kuptojnë rëndësinë që ka marrja e masave për të mos lejuar që vendi të rrëshqasë në luftë civile pas sulmit në Samara.

"Gjatë kësaj krize të ditëve të fundit, udhëheqësit politikë të vendit, si në qeveri edhe jashtë saj, dhe që përfaqësojnë të gjitha fraksionet – shiitët, sunitë, kurdët dhe të tjerët – janë bashkuar. Së dyti, përsa i përket udhëheqjes fetare të vendit, mendoj se ajo ka qenë një forcë moderimi."

Gjeneral Maples paralajmëroi se shtimi i sulmeve terroriste mund ta çojë vendin drejt kaosit.

"Mendoj se nëse dhuna vazhdon dhe nëse ajo nxitet nga al-Qaida në Irak, kjo do të kishte një ndikim mjaft negativ mbi vendin."

Megjithatë, theksoi gjenerali, në rast se incidentet e dhunës shtohen, forcat e reja ushtarake irakiane do të luftojnë me më shumë forcë. Gjenerali nuk mendon se fqinjët e Irakut do të ndërhynin ushtarakisht në rast se atje shpërthen konflikti.

Shqetësimet për luftë civile janë komplikuar edhe nga përpjekjet e vështira për formimin e një qeverie të re irakiane. Në muajin dhjetor, Iraku zgjodhi një parlament të ri me një mandat katërvjeçar, por qeveria ende nuk është formuar.

Zoti Negroponte paralajmëroi se nëqoftëse qeveria nuk është gjithpërfshirëse, atëhere kjo do të ndikonte në zgjatjen e kryengritjes. Por ai shprehu një farë optimizmi, duke thënë se forcat irakiane të sigurisë janë përmirësuar që kur ai shkoi për herë të parë në Irak dy vjet më parë si ambasador. Që nga ajo kohë, tha zoti Negroponte, arabët suni i janë bashkuar procesit politik.//ii

XS
SM
MD
LG