Lidhje

Zyrtarë rusë dhe iranianë arrijnë një marrëveshje paraprake mbi pasurimin e uraniumit


Zyrtarë iranianë dhe rusë të çështjeve bërthamore thonë se kanë arritur një marrëveshje paraprake që Rusia të pasurojë uraniumin për Iranin.

Marrëveshja në parim u bë e njohur dje, pas një takimi në Teheran midis shefit rus të çështjeve bërthamore, Sergei Kirijenko, dhe homologut të tij iranin, Golamreza Agazadeh.

Të dy zyrtarët thonë se ende nuk është arritur një marrëveshje zyrtare dhe shtojnë se nevojiten bisedime të mëtejshme për të sheshuar hollësitë e saj. Asnjëri nuk la të kuptohej nëse Irani do ta vazhdojë pasurimin në shkallë të ulët të uraniumit që nisi nga fillimi i këtij muaji.

Qeveritë perëndimore e akuzojnë Teheranin se po kërkon uranium të pasuruar të cilësisë së lartë për të prodhuar një bombë atomike. Kurse Irani thotë se kërkon uranium të pasuruar të cilësisë së ulët për prodhimin e energjisë elektrike.

Qeveritë perëndimore mbështesin ofertën ruse për shkak se do t’i jepte Moskës kontrollin mbi veprimtaritë e pasurimit dhe do të parandalonte prodhimin e uraniumit të cilësisë së armëve nga ana e Teheranit.

XS
SM
MD
LG