Lidhje

Kirurgjia robotike; Mjekësia alternative; Ndikimi i lajmeve në gjendjen shpirtërore


Kirurgjia robotike

Sipas statistikave, 1 në çdo 6 amerikanë është i prekur ose mund të preket nga kanceri i prostatit gjatë periudhës së jetës së tij. Kohët e fundit, mjekët në Nju Jork kanë filluar të ofrojnë një mënyrë të re operimi për këtë lloj kanceri. Operimi kryehet nëpërmjet një roboti pa çarjen e barkut, dhe ekspertët përsëri debatojnë nëse kjo metodë robotike është më e mirë sesa mënyra tradicionale kur operacioni kryhet nga kirurgu.

Nëna e Luis Veiznerit vdiq nga kanceri para 20 vjetësh në moshën 57 vjeçare. Shtatorin e kaluar, në moshën 51 vjeçare, Luis u diagnostikua me kancer në prostatë. Për mënyrën e trajtimit ai e pati të lehtë, duke zgjedhur ndërhyrjen kirurgjike; një lloj të ri operacioni i kryer nga një robot i pajisur me instrumente të nevojëshme.

Ndryshe nga operacioni tradicional ku hapet pjesa e poshtëme e barkut, operacioni me robot kryehet duke hapur 5 vrima të vogla në bark; dy për krahët e robotit, një për kamerën, një për të ndihmuar dhe një për kryerjen e operimit.

Kirurgu kontrollon krahët e robotit nga një aparat aty pranë. Kamera jep pamjen e brendëshme, dhe pacienti nuk humbet thuasje fare gjak si rrjedhoje e gazit të presuar brenda në bark.

Doktor Xhon Filips pranë qëndrës mjekësore Beth Izrael në Nju Jork thotë se mungesa e hemoragjisë i lejon kirurgët të dallojnë të gjithë strukturën që është vështirë të dallohet gjatë operacionit tradicional. Doktor Filips thotë se pas operimit me robot, pacientët e marrin veten më shpejtë, dalin më shpejtë nga spitali dhe kanë më pak dhimbje.

Por aktualisht ekziston një debat midis përkrahësve të kësaj mënyre dhe atyre që thonë se kur operacioni me hapje të barkut shkon mirë, përparësitë e operimit robotik janë të papërfillëshme.

Doktor Peter Albertsen pranë universitetit të shtetit Kenektikat, thotë se operacioni nëpërmjet robotit nuk është më pak i kushtueshëm sesa operacionet tradicionale dhe pacienti nuk ka ndonjë përfitim të madh nga kjo procedurë e re.

Ekspertët janë të një mendimi se operacioni me robot shpesh mbivlerësohet. Ata thonë se për suksesin e një operacioni ka më shumë rëndësi zgjedhja e një kirurgu me përvojë se sa zgjedhja midis robotit dhe operacionit me prerje të barkut. Ata thonë se çështja që duhet shtruar është nëse duhet lejuar që pacienti të trajtohet më operacion apo t’i ofrohet atij një alternativë e re; trajtimi i efektëshëm me ilaçe.

Mjekësia alternative

Një studim thotë se 62 përqind e amerikanëve përdorin terapi jo të zakonëshme, përfshi lutje e meditim, për të parandaluar sëmundjen ose për t’iu shmangur vizitës tek mjeku. Por a është e efektëshme një terapi e tillë? Disa ekspertë thonë se deri tani nuk kanë parë ndonjë të dhënë që të tregojë se meditimi ka në përgjithësi vlera shëruese. Por ata që e kanë provuar thonë se pas ushtrimeve të tilla ndjehen të shlodhur e të përtëritur.

Pavarësisht nga problemet kronike në zemër dhe dhimbjet në këmbë, 81 vjeçarja Karmela Hilbertt thotë se kurrë nuk e ka ndjerë veten më mirë se sot. Ajo mendon se çdo gjë ka të bëjë me qëndrimin që njeriu mban ndaj problemeve të tilla. “Sa më tepër mëson rreth sëmundjes aq më shumë mënyra të reja kurimi njeriu është gati të provojë”, thotë Karmela e cila tani po provon meditimin. Ajo ecën çdo ditë në këtë fushë në formë rrethi e krijuar veçanërisht për meditim. Kur mbaron meditimin, Karmela ndjehet e lehtësuar dhe e shlodhur. Ajo beson se meditimi e ndihmon të çlirohet nga dhimbja.

Por Karmela nuk është vetëm. Miliona njerëz të moshuar janë të zhgënjyer nga ilaçet, dhe për këtë arsye ata tani marrin pjesë në programe që ofrojnë shërim shpirtëror, përfshi meditim, joga dhe Tai Çi.

Megjithëse këto lloj terapish nuk janë të reja, gjatë 5 vjetëve të fundit shumë mjekë kanë filluar t’i përdorin ato si pjesë të trajtimeve mjekësore.

Doktor Herbert Benson pranë universitetit Harvard thotë se 35 vjet më parë terapi të tilla nuk përfilleshin nga mjekët. Por të dhënat tani tregojnë se ato mund të ndihmojnë shumë në një numër rastesh ku ilaçet dhe operacionet janë treguar të pa efektëshme.

Ndërsa 30 përqind e të moshuarve mendojnë se mjekësia tradicionale nuk mund t’i shërojë ata, skeptikët paralajmërojnë se meditimi nuk është mjekësi. Doktor Riçard Sloan pranë universitetit Kolumbia thotë se deri tani nuk ka parë ndonjë të dhënë që t’a bindë atë se meditimi ka në përgjithësi vlera shëruese. Por ata që e kanë provuar thonë se pas ushtrimeve të tilla ata ndjehen të shlodhur e të përtëritur.

Në vitin 1999, instituti kombëtar i shëndetit krijoi një qëndër të mjekësisë alternative për të studiuar rreth mënyrave jo konvencionale të kurimit. Këtë vit ky institut ka një buxhet prej 122 milionë dollarësh.

Ndikimi i lajmeve në gjendjen shpirtërore

Sipas një studimi të kohëve të fundit, lajmet e mira kanë një ndikim pozitiv në jetën tonë, ndërsa lajmet e këqia përfshi ato mbi luftrat, vdekjet e trazirat, apo krimet sjellin një ndikim psikologjik negativ kur i dëgjojmë. Mjekja Dorri Lin, psikologe që merret me analizimin e lajmeve, thotë se lajmet e këqia apo kronikat e zeza shtojnë ankthin tek njerëzit, ata bien në depresion, ndjehen keq dhe frikësohen. Studimi rreth qëndrimit të amerikanëve ndaj lajmeve u krye nga shërbimi i anketave Monitor. Mjeku psikolog David Bersof, që kryesoi studimin thotë se 63 përqind e amerikanëve thanë se dëshirojnë të dëgjojnë më shumë njoftime të mira në emisionet e lajmeve. Studimi tregon se lajmet e mira i bëjnë njerëzit të ndjehen më të motivuar, më të frymëzuar e më optimistë rreth të ardhmes, si dhe të bëhen më të suksesshëm në punën e tyre.

XS
SM
MD
LG