Lidhje

Kryeministri Kosumi jep dorëheqjen nën trysninë e partisë së tij


Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi dha dorëheqjen nën trysninë intensive nga partia e tij. Zoti Kosumi u tha dje gazetarëve se si ai kishte ndërmarrë një veprim korrekt dhe moral. Ai përballej me kritika në rritje nga koalicioni në pushtet, i cili e shikonte atë si udhëheqës të paefektshëm.

Aleanca e tij për Ardhmërinë e Kosovës ka emëruar ish komandantin e luftëtarëve të UÇK-së, Agim Çeku, si kandidat për të zëvendësuar zotin Kosumi. Aktualisht, zoti Çeku kryeson Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Ka shumë të ngjarë që emërimi i zotit Çeku të zemërojë qeverinë serbe, e cika e ka akuzuar atë për krime lufte gjatë luftimeve në Kosovë nga fundi i viteve 1990.

Beogradi ka nxjerrë një urdhër për arrestimin e tij. Kosova dhe Serbia janë aktualisht të angazhuara në bisedime të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara mbi statusin përfundimtar të Kosovës.

Po dje, Lidhja Demokratike e Kosovës, partia më e madhe në koalicionin qeveritar, vendosi të shkarkojë kryetarin e parlamentin Nexhat Daci, si pjesë e një riorganizimi të përgjithshëm.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Berri Uud, thekson nga Prishtina se zoti Kosumi dha dorëheqjen vetëm një javë pas fillimit të negociatave të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara mbi statusin përfundimtar të Kosovës. Udhëheqësit e partisë së tij thonë se ndryshimi u bë për të ruajtur shumicën e vogël të qeverisë në parlament.

Edhe anëtarja më e madhe e koalicionit qeveritar, Lidhja Demokratike e Kosovës, bëri një ndryshim të vetin, duke shkarkuar nga posti kreun e parlamentit, Nexhat Daci. Ka shumë të ngjarë që kryeministri i ri të jetë politikani 45 vjeçar Agim Çeku.

Pritet që emërimi i tij të ngjallë shqetësime në Serbi, ku zoti Çeku është akuzuar për krime lufte. Ai ka shërbyer si komandant ushtarak në Kroaci gjatë luftës me Serbinë dhe më pas ka udhëhequr luftëtarët shqiptarë të Kosovës kundër Serbisë. Në një deklaratë të partisë thuhet se zoti Çeku do ta udhëheqë Kosovën drejt pavarësisë.

Zoti Kosumi thotë se arritja kryesore e qeverisë së tij ishte fillimi i negociatave për statusin përfundimtar. Teknikisht Kosova është ende pjesë e Serbisë, por forcat e Beogradit u dëbuan nga Kosova në vitin 1999 pasi Natoja ndërhyri atje në emër të shumicës së shtypur shqiptare.

Pakica e vogël jo shqiptare, e përbërë kryesisht nga serbë, jeton në enklava të mbrojtura nga paqeruajtësit ndërkombëtarë. I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, ndodhet në Kosovë dhe thotë se nuk ka të ngjarë që zhvillimet e fundit të kenë ndonjë ndikim mbi bisedimet për statusin përfundimtar që ai po kryeson. Bisedimet janë në plan të rifillojnë më 17 mars.

Jeta politike në Kosovë ka qenë disi e trazuar që nga vdekja e politikanit mbizotërues dhe Presidentit Ibrahim Rugova, më pak se dy muaj më parë.

XS
SM
MD
LG