Lidhje

Presidenti Bush në Islamabad për bisedime me gjeneralin Musharaf


Presidenti Bush ndodhet në Islamabad, ku ai tha se do të diskutojë rreth bashkëpunimit me rëndësi jetike në luftën kundër terrorizmit si dhe mbi përpjekjet për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe politik në mënyrë që të ulet ndikimi i radikalizmit islamik.

Presidenti Bush arriti në Islamabad nga India, ku u bëri thirrje dy rivalëve bërthamorë që të zgjidhin mosmarrëveshjet e vjetra rreth Kashmirit.

Nesër, Presidenti Bush do të zhvillojë bisedime me Presidentin e Pakistanit, Pervez Musharraf dhe do të ketë gjithashtu një tryezë të rrumbullaktë me përfaqësues të shoqërisë pakistaneze. Masat e sigurimit në Islamabad janë shumë të rrepta.

Dje, në qytetin port të Karaçit, një person kreu shpërthim vetvrasës pranë konsullatës së Shteteve të Bashkuara në këtë qytet, duke shkaktuar edhe vdekjen e tre vetëve të tjerë, midis tyre një diplomat amerikan.

Në Ravalpindi, pranë Islamabadit, policia përdori shkopinjtë për të shpërndarë qindra protestues, të cilët mbanin parrulla që dënonin Presidentin Bush dhe karikaturat e Profetit Muhamed të cilat janë bërë objekt polemikash të ashpra.

Po sot në Nju Deli, para se të nisej për në Pakistan, Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara dhe India nuk kanë qenë kurrë më të afërta se sa tani dhe se marrëveshja bërthamore e nënshkruar prej tyre do të forcojë sigurimin dhe ekonominë e të dy vendeve. Ai tha gjithashtu se si India ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë vuajtur pasojat e terrorizmit dhe janë aleatë të natyrshëm në luftën kundër tij. Presidenti Bush tha se dy vendet do të përpiqen të ndryshojnë kushtet që inkurajojnë lindjen e terroristëve. //rd//

XS
SM
MD
LG