Lidhje

Udhëheqësit e Hamasit vlerësuan Moskën për organizimin e bisedimeve të tyre me Kremlinin


Udhëheqësit e grupit ekstemist palestinez Hamas vlerësuan Moskën për organizimin e bisedimeve mes këtij grupi dhe Kremlinit, të cilat kanë ngjallur polemika të shumta.

Hamasi thotë se Rusia mund të shërbejë si një forcë e rëndësishme në nxitjen e stabilitetit në Lindjen e Mesme.

Agjencia e lajmeve Interfax citoi udhëheqësin politik të Hamasit, Khaled Mashaal, sipas të cilit Rusia gëzon një pozitë të rëndësishme për të nxitur dialogun dhe për të siguruar ruajtjen e baraspeshës së forcave në botë.

Zoti Mashaal kryeson një delegacion 6-anëtarësh të Hamasit, i cili vazhdon për të dytën ditë takimet me udhëheqësit rusë në Moskë. Bisedimet 3 ditëshe janë të parat që organizata Hamas zhvillon me një fuqi të huaj.

Po sot, zoti Mashaal u takua me studiuesin e fesë islame Ravil Gainutdin, kreu i Këshillit të Myftive të Rusisë. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i tha dje organizatës Hamas se duhet t’i përmbahet planit ndërkombëtar për paqe në Lindjen e Mesme për të njohur Izraelin. Kësaj kërkese Hamasi iu përgjigj prerazi se nuk e njeh të drejtën e këtij vendi për të ekzistuar.

Udhëheqësi politik i Hamasit, Khaled Mashaal tha se organizata nuk do të ndërmarrë hapa seriozë drejt paqes nëse Izraeli nuk tërhiqet nga territoret e pushtuara që nga viti 1967.//ii

XS
SM
MD
LG